2008-08-01 17:06:49

Rubrika "Me Nënë Terezën"- “Gjithçka shpjegohet duke u nisur nga Jezusi’.


(01.08.2008 RV)RealAudioMP3 Në atmosferën meditative që krijojnë dy data përkujtimore: 26 gushti, 98 vjetori i lindjes së Ganxhe Bojaxhiut dhe 5 shtatori, kur mbushen 11 vjet nga dita e kthimit të së Lumes Terezë tek Ati qiellor, e ftuam simbolikisht Nënë Terezën në mikrofonin tonë, duke iu lutur të na e tregojë, me gojën e vet, jetën e saj aq të jashtëzakonshme.
Për Nënë Terezen janë shkruar shumë biografi. Janë realizuar edhe filma, pa kujtuar këtu mijëra shkrime kushtuar së Lumes, që kanë parë e shohin dritën e shtypit në revistat e gazetat e mbarë botës, sepse misioni i saj vijon. Vijon jo vetëm përmes veprimtarisë së mijëra motrave të saj, por edhe përmes veprimtarisë së përditshme të çdo besimtari të krishterë, që dëshiron të shuajë etjen e Krishtit në kryq për dashuri.
Ndërmjet gjithë këtyre shkrimeve, që në gushtin e vitit të kaluar, zgjodhëm biografinë, që na u duk më afër së vërtetës mbi jetën e saj.
Nuk është autobiografi, që e shkroi ajo vetë, me dorë të saj.
Nënë Terezës as që i shkoi ndonjëherë mendja të shkruante një autobiografi. Ndoshta, po ta kishte porositur Papa (e ajo njohu Papën Pali VI e Gjon Palin II) edhe mund ta kishte shkruar, për të bërë dëgjesën shenjte. Por atë që nuk ia kërkuan kurrë papët, ajo e tha me gojë, për t’i shprehur Jezusit dashurinë e saj të pakufishme, pa i shkuar në mend se dikush i mblidhte ditë për ditë fjalët e saj.
Këto fjalë, të mbledhura nën kujdesin e Josè Luis Gonazales-Balado, u radhitën në librin ‘Jeta ime’, që nisëm ta shfletojmë së bashku që vjet në një cikël emisionesh kushtuar së Lumes, titulluar ‘Me Nënë Terezën’, transmetuar gjatë gjithë muajit gusht 2007. Po e vijojmë shfletimin duke nisur atje ku mbetëm: e pikërisht tek ‘Gatishmëria për t’i shërbyer Jezusit’.

“Një fakt shumë domethënës është ai i taksistit të Nju Jorkut, që nuk pranoi të më çonte në kuvendin e motrave tona të degës kundruese në Bronxin e Jugut.
Nuk i pata njoftuar për vizitën time, prandaj duhet të shkoja atje me ndonjë mjet të rastit, por ky njeri refuzonte të vinte me mua, sepse kishte frikë.
Më kot i përsërisja se motrat tona kishin një shtëpi e se jetojshin atje. Nuk më besonte.
Për ta bindur, i thashë:
“E po mirë, atëherë po bëjmë kështu: unë po ulem përpara, pranë jush e do ta shihni se nuk do të na kërcënojë asnjë rrezik”.
Pranoi e u nisëm në drejtim të Bronxit Jugor.
Taksisti i mirë u mrekullua, kur pa motrat e reja që qeshnin e kënaqeshin, në sa njerëzit më përshëndesnin duke ulur paksa kokën. Ata që më njihnin, megjithëse ishin të dehur, më flisnin duke hequr kapelat.
Taksisti nuk e besonte syve!
Jam e bindur se shenjtëria është arsyeja e parë mbi të cilën bazohet Kongregata jonë.
“Për ne”, u them motrave të mia “shenjtëria nuk duhet të jetë e vështirë, sepse duke u bërë shërbim falas e me gjithë zemër të varfërve, ne i kalojmë me Jezusin të 24 orët e ditës e të natës. E me qenë se çdo misionare e dashurisë bën pjesë ndër të Varfërit më të varfër, përvoja e kushtit të katërt provohet edhe në çdo punë që bëjmë njera për tjetrën.
Një herë kardinali kryeipeshkëv i Sent Lyi, në SHBA, më kërkoi t’i shkruaj dy fjalë në Shkurtoren e lutjeve të përditshme.
I shkrova: “Lejoje Jezusin të të përdorë si të dojë, pa pritur që ta kërkojë shërbimin”.Ai m’u përgjigj, gjithnjë me shkrim: “Ju nuk e dini ç’më bëtë: Çdo ditë bëj rrëmimin e ndërgjegjes e pyes vetveten: “A e kam lejuar Jezusin të më përdorë si të dojë, pa më këkuar lejë?”.







All the contents on this site are copyrighted ©.