2008-07-31 18:10:59

Sot u përkujtua Shën Injaci i Lojolës, themelues i Urdhërit të Jezuitëve.


(31.07.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike përkujtoi një nga Shenjtorët më të mëdhenj të saj: themeluesin e Urdhërit, tepër të njohur kudo në botë, të Jezuitëve: Shën Injacin nga Lojola. Kremtimi kryesor u mbajt në Kishën romake të Jezusit, ku bashkëkremtuan një numër i madh etërish jezuitë, në sa flijimin eukaristik e udhëhoqi Eprori i përgjithëm i Urdhërit, Atë Adolf Nikolás .

Injaci lindi në Vendet Baske e pikërisht në Azpeitia në vitin 1491. Në moshën 14 vjeçare zgjodhi karrierën ushtarake. Pas një lufte të rreptë shpirtërore, natën ndërmjet 24 e 25 marsit 1522, vendosi t’i kushtohej plotësisht Zotit, duke braktisur të gjitha rrugët tjera që kishte provuar në moshën e ëndrrave. 33 vjeç u kthye në bankat e shkollës në Barcelonë dhe nisi të studionte si të ishte fëmijë, derisa fitoi doktoratën në arte, në Paris, ku u njoh edhe me shokët e parë. Më 15 gusht 1534 lindi Shoqëria e Jezusit, e miratuar vetëm pas gjashtë vjetësh. Eshtë e tija ideja për ndërtimin e kolegjeve, nga të cilat nisën jetën një numër i madh universitetesh të mirënjohura në Evropë e në Botë. Vdiq në Romë më 31 korrik 1556.
Atë Dedë Pazi, Misionar, Atë Gjon Fausti e Atë Daniel Dajani, kandidatë për nderimet e elterit, Atë Pjetër Meshkalla, atë Jak Gardini, Atë Anton Luli, Atë Gjergj Vata.... sa e sa të tjerë, emrat e të cilëve u skalitën në mënyrë të pashlyeshme në kujtesën e popullit shqiptar, janë disa nga anëtarët shqiptarë e msionarë të asaj Shoqërie, që pati si kryetar të parë Shën Injacin. E ishin pikërish këta jezuitë e sivëllezërit e tyre, emrat e të cilëve do të formonin një listë tepër të gjatë, po t’i kujtonim, ata që i dhanë popullit shqiptar Misionin Shëtitës, i cili pajtoi aq shumë gjaqe shkrepave e rrugëve të qyteteve; Kolegjin e famshëm Saverian, që përgatiti nxënës për të gjitha shkollat e botës; revistën e parë në gjuhën shqipe “Elçinë e Zemrës së Krishtit”; teatrin e parë, muzeun e parë; revistën ‘LEKA’; një ndër bandat e para muzikore e shumë e shumë pasuri të tjera, të rrafshuara nga komunizmi, që po rindërtohen me mund e me djersë nga jezuitë të rinj, misionarë e shqiptarë, ndër të cilët jezuiti më i ri, i pari pas diktaturës, Atë Zef Bisha, përmbi gërmadhat e vjetra, që rrezatojnë lavdinë e martirizimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.