2008-07-31 18:08:41

Me qëndrimin në Bresanone, Papa na mëson kuptimin e vërtetë të pushimeve: reflektim i Irene Argjentieros, drejtore e revistes altoatezine “Shenja”.


(31.07.2008 RV)RealAudioMP3 Vijon periudha e pushimeve të Atit të Shenjtë në Bresanone, ndërsa besimtarët përgatiten për takimin e parë publik me Papën: lutjen e Engjëllit të Tënzot, të dielën e ardhshme. Pritet një dyndje e madhe besimtarësh të qytezës altoatezine, që në editorialin e botuar nga gazeta ‘Shenja’, quhet ‘shtëpia e tij’. Por, të dëgjojmë drejtoren e revistës, Irene Argjentiero, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Këto ditë Bresanone e priti Atin e Shenjtë me gëzim të madh e me entuziazëm të madh. Ardhja e Papës në qytet krijoi interesim të veçantë për shumë njerëz, që duan të dinë kur do të dalë, ku do të shëtisë e si do ta kalojë periudhën e pushimeve. Pushime që – siç ka thënë vetë Benedikti XVI – janë kohë e cila i kushtohet prehjes, lutjes, studimit e shpirtit. Besoj se në ditët tona ne duhet të reflektojmë, për të kuptuar ç’ do të thotë të pushosh: për njeriun modern koha e lirë pritet me masën e ritmeve të jetës së përditshme, e cila është tepër e ethshme.

 
Pyetje: - Heshtje e lutje, dmth jetë normale e përditshme. Thjeshtësi që nganjëherë duket sikur të tremb…

 
Përgjigje: - Thjeshtësi që duket sikur të tremb, por që Papa, me vetë shembullin e jetës së tij, na e këshillon këto ditë nga Bresanone. Seminari, vend ku përgatiten meshtarët e dioqezës sonë, ndonëse në qendër të qytetit, mbetet gjithnjë vend i heshtur, ku njeriu mund të lutet në qetësi të plotë.

 
Pyetje: - Diçka për lutjen e Engjëllit të Tënzot, takim i parë publik i Papës?

 
Përgjigje: - Të dielën e ardhshme, në Bresanone, në Sheshin e Katedrales, do të jenë të pranishëm nëntë mijë vetë për të takuar Papën, për të bërë një copë rrugë shpirtërore me Atin e Shenjtë. Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot ofron gjithnjë reflektime nga Ungjilli, që liturgjia i propozon javë pas jave. Shtegtarët, që do të jenë në Sheshin e Katedrales, do ta ndjekin, duke bërë kështu, një hap para në rrugën e jetës së tyre të krishterë. Ungjilli i së dielës së ardhshme është shumë domethënës në këtë kuptim.







All the contents on this site are copyrighted ©.