2008-07-31 18:08:56

Marrëdhëniet ndërmjet kishave dhe polemikat në gjirin e anglikanizmit, në fjalimin e mbajtur nga kardinali Kasper, në Lambet.


(31.07.2008 RV)Sot kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, foli në Kantërburi, ku punimet e Konferencës së Lambetit po i afrohen fundit. Kujtojmë se një konferencë e tillë, në të cilën marrin pjesë ipeshkvijtë anglikanë të mbarë botës, mblidhet çdo dhjetë vjet e se sivjet çështjet në diskutim: shugurimi meshtarak e ipeshkvnor i grave e i homoskesualëve dhe martesa e çifteve homoseksuale, kanë krijuar mosmarrëveshje si në planin teologjik, ashtu edhe në atë baritor.
Kardinali Kasper, në fjalimin e tij, kujtoi kryesisht marrëdhëniet ndërmjet anglikanëve e katolikëve gjatë viteve të fundit, mosmarrëveshjet kryesore brenda Bashkimit anglikan dhe detyrën për t’i qëndruar besnikë traditës apostolike. “Përçarjet ndërmjet nesh – pohoi Hirësia e Tij – kanë krijuar pengesa serioze për dëshminë tonë e për misionin tonë. Gjithsesi – vijoi kardinali Kasper - bashkimi i plotë nuk është qëllim në vetvete, por shenjë dhe mjet i kërkimit të unitetit me Hyjin e paqes në botë.
Nuk foli si gjykatës, kardinali Kasper, por si mik, si bashkëbisedues ekumenik, që trishtohet thellë për shkak të problemeve, që kanë lindur në gjirin e Bashkimit anglikan. Prandaj edhe reflektoi mbi dy çështjet që krijojnë tensione e përçarje ndërmjte anglikanëve: mbi shugurimin e grave dhe seksualitetin, duke kujtuar disa fragmente të Dokumentit të vitit 1994, titulluar ‘Jeta në Krishtin’, të Komisionit ndërkombëtar anglikan e katoliko-romak (ARCIC). Në këtë dokument, anglikanët dhe katolikët e shikojnë veprimtarinë homoseksuale si “të parregullt”. Në dritën tensioneve të viteve të fundit mbi homoseksualitetin, një deklaratë e qartë nga ana e Bashkimit anglikan – shpjegoi kardinali Kasper - do të na jepte më shumë mundësi për një dëshmi të përbashkët mbi seksualitein njerëzor e mbi martesën.
Duke u ndaluar tek problemi i shugurimit të grave, Hirësia e Tij kujtoi Letrën apostolike “Ordinatio sacerdotalis’ të Gjon Palit II, në të cilën theksohet se “shugurimi meshtarak në Kishën katolike u është besuar vetëm burrave”, sipas një tradite, që lidhet me vetë vullnetin e Krishtit. Prandaj – sqaroi kardinali – nuk e shikon të arsyeshme t’i hapë rrugën një tradite të re, duke hequr dorë nga ajo e Kishës të të gjitha kohëve.
Në përfundim kardinali Kasper shpreh besimin se, me ndihmën e Zotit, do të gjindet një rrugëdalje nga këto vështirësi, gjë që do t’i jepte hov të ri edhe shtegtimit të përbashkët drejt unitetit, të cilin e dëshiron vetë Jezu Krishti.
“Selia e Shenjtë e ndjek me vëmendje të veçantë kërkesën për ‘unitet korporativ’ me Kishën katolike, paraqitur nga Bashkimi anglikan tradicional”. Kjo nënvizohet, në një letër drejtuar nga kardinali Uiljam Levada, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, primatit të këtij Bashkimi, kryeipeshkvit Xhon Hepuorth. Letra, që mban datën 5 korrik, sqaron se në këtë periudhë gjendja e Bashkimit anglikan është bërë shumë e ndërlikuar, prandaj Kongregata do t’i japë përgjigje propozimit, sapo të jetë në gjendje për ta bërë këtë”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.