2008-07-30 16:59:14

Pushimet verore parë si mision në vendet e varfëra.


(30.07.2008 RV)RealAudioMP3 Shumica e të rinjve në vendet e pasura i kalojnë pushimet verore në brigjet e detit, të liqeneve ose në zona malore. Por ka edhe nga ata që zgjedhin një rrugë tjetër: atë të veprimtarive misionare ose të ndihmës ndaj vendeve më të varfëra. Shoqata Papa Gjoni XXIII ka hapur kampe verore në disa vende të Evropës, që tashmë thirren me emrin vendet “Jashtë Mureve’. Për t’u njohur nga afër me këtë veprimtari, që lidhet drejtpërdrejtë edhe me Shqipërinë, intervistuam Marinela Baldasarin, drejtuese e përgjithshme e sektorit të të rinjve, kujdestare për kampet e Rumanisë dhe Kristina Petrelën, që punon në kampin e të rinjve në Shkodër. Të dëgjojmë së pari, Baldasarin:

Pyetje: - Ç’ju shtyn të kaloni pushimet në Rumani?

 
Përgjigje: - Mundësia për t’u takuar me shokët më të varfër, më të vegjël, sepse mision do të thotë ta kumtosh lajmin e mirë pikërisht atje ku ky lajm arrin me vështirësi. E, kujtojmë, Zoti erdhi për të gjithë, prandaj të gjithë duhet ta njohin lajmin e shëlbimit.

 
Pyetje: - Nismat jashtë mureve nisin në vitet 2000 me Rumaninë e, më pas, zgjërohen edhe në vende të tjera. Ç’ mund të na thoni, konkretisht, për veprimtarinë tuaj këto kampe?

 
Përgjigje: - Duke njohur vendasit, posaçërisht në Rumani, do të takosh fëmijë tepër të varfër, sidomos në zonën e minierave. Shkuam në një nga këto zona. Pamë një qytet-fantazmë, me shtëpi tepër të mëdha, por të zbrazura, sepse në rrezik shembjeje. Shumë shtëpi nuk kanë as dritë, as ujë. Në dimër familjet ngrohen me qymyrin që mbledhin fëmijët nga minierat. Trishtim i madh. Gjithë vitin. E ne mundohemi t’u çojmë një buzëqeshje, së paku për pesëmbëdhjetë ditë. Bëjmë çmos t’i bindim se nuk janë të mallkuar, por përkundrazi, janë të zgjedhurit e Zotit tonë. E Ai i Lumi nuk do t’i lëshojë dore. Dikush duhet e do të kujtohet edhe për ta. I ftojmë, pra, të shpresojnë. Rrijmë me ta, sepse vetëm kështu mund t’i kuptojmë, vuajmë me ta, larg vendeve ku luftohet vetëm për vete, vetëm për sukses. Përpiqemi, me sa mundemi, të çojmë një rreze nga drita e amshuar ‘brenda mureve’!

 
Pyetje: - Kush janë këta të rinj, që vendosin t’i kalojnë pushimet në këtë mënyrë?

 
Përgjigje: - Janë të rinj, të cilët nuk kënaqen me pushimet e zakonshme, të rinj në kërkim të identitetit të tyre; e dinjiteti vetjak fitohet vetëm në çastin kur, para një të varfëri, mat veten e njeriun që ke përballë. I varfëri është i dashuri i Zotit; në të zbulon aftësinë për të dashur e për t’u dashur.

 
Vijojmë me intervistën e Kristina Petrelës, që punon në kampin e Shkodrës. Kush janë, këtu, të harruarit?
 
Përgjigje: - Në zonat tona ne përpiqemi të shkojmë kryesisht në familjet që zbresin nga malet në qytet, në kërkim të fatit, por që shpesh mbeten pa punë, pasi kanë shitur gjithçka kishin. Përfundojnë, kështu, si s’ka ku të vejë më keq. Ne shkojmë për të jetuar ca çaste me ta, si ata, gjatë gjithë vitit. Verës u krijojmë mundësitë të vijnë mes nesh edhe të rinjve që duan të na njohin, të jetojnë si ne, të marrin pjesë në nismat e të rinjve e të fëmijëve vendas.

 
Pyetje: - A ka lënë ndonjë gjurmë në shpirtin e të rinjve, që kanë ardhur vitet e kaluara, një periudhë kaq e shkurtër bashkëpunimi?
 
Përgjigje: - Mund të them se po. Diçka ka ndryshuar në jetën e të gjithë atyre, që kaluan ca çaste me ne. Po ju tregoj vetëm një shembull. Të rinjtë që punuan me ne vitin e kaluar, mbetën shumë të prekur: një mbrëmje i çuam në Tiranë, ku kemi një Shpellë simbolike Betlehemi për të mbledhur njerëzit e pastrehë; fjetëm bashkë me ta, me ta edhe hëngrëm… Kur u kthyen, këta të rinj krijuan në famullitë e tyre, vende të ngjashme për strehimin e njerëzve, që nuk kanë asnjë mbështetje. Janë çaste të mrekullueshme, që më shtyjnë t’i përsëris vetes: “Kristinë, mos u kurse!”







All the contents on this site are copyrighted ©.