2008-07-30 16:55:52

Kardinali Martino në një mesazh drejtuar Konferencës për emigracionin në Uashington: “Të respektohet gjithnjë dinjiteti i emigrantit’.


(30.07.2008 RV)RealAudioMP3 Vijojnë, në Uashington, punimet e Konferencës mbi emigracionin, përqëndruar tek tema “Ta përtërijmë shpresën e të kërkojmë drejtësinë”. Në takimin, organizuar nga ‘Shërbimi për emigrantët e refugjatët’, i Konferencës ipeshkvnore të SHBA-së (USCCB), marrin pjesë 600 drejtues të shërbimeve për emigrantët e refugjatët, të karitaseve katolike si dhe përfaqësues të agjensive jo qeveritare. Punimet e Konferencës i hapi kryeipeshkvi i Los Anxhelos, kardinali Rogjer Majkëll Mahoni, prej kohe në vijë të parë të veprimtarisë për strehimin e emigrantëve amerikano-jugor në Kaliforni. Hirësia e Tij e ka inkuadruar fenomenin në debatin e brendshëm, që vijon në SHBA, dhe ka shpjeguar sa e nevojshme është të mendohet për realizimin e një reforme me frymëmarrje të thellë, të ligjeve mbi emigracionin.
Ndërmjet pjesëmarrësëve në Konferencë, është edhe kryeipeshkvi Agostino Marketo, sekretar i Këshillit Papnor për Emigrantët, Refugjatët dhe Endacakët, që lexoi edhe mesazhin e kryetarit të dikasterit, kardinalit Renato Rafaele Martino:
“Kisha i shikon emigrantët si shenjë të pranisë jetike të Hyjit në botë, që i krijon mundësitë të realizojë identitetin e bashkimit dhe thirrjen e saj misionare”. Kështu kardinali Martino u kujton pjesëmarrësve në Konferncën e Uashingtonit, vizionin katolik mbi emigracionin dhe nevojën për ta përballuar, duke u nisur nga dinjiteti i çdo njeriu. Më pas Hirësia e Tij citon udhëzimin e Këshillit Papnor për Emigrantët “Erga migrantes caritas Christi’ (Dashuria e Krishtit për emigrantët), duke nënvizuar sfidën dhe detyrën për të mos e përballuar fenomenin e emigracionit vetëm me disa veprimtari bamirëse, por duke realizuar plane të hollësishme për mikpritjen e emigrantëve. Vetëm kështu – vijon mesazhi – mund t’i përgjigjemi frikës që shkakton në shumë vende, njeriu i huaj, në kushte tepër të vështira”.







All the contents on this site are copyrighted ©.