2008-07-29 16:57:24

Papa filloi që dje pushimet verore në Bresanone


(29.07.2008 RV)RealAudioMP3 Dita e parë e plotë në Bresanone për Benediktin XVI, që arriti dje në qytetin altoatezin për një periudhë pushimesh prej dy javësh. Prania e Atit të Shenjtë, që e njeh mirë dhe e vlerëson lart këtë qytet, ka krijuar një atmoferë të vërtetë festive. Kjo atmosferë feste e gëzimi u shpreh sot pasdite nga imzot Vilhelm Emil Eger, gjatë një takimi me gazetarët. Ndërsa mbrëmë, në Seminarin e Bresanones, arriti edhe vëllai i Papës, imzot Georg Racinger. Kështu pushimet e Atit të Shenjtë marrin një ngjyrim thellësisht familjar, siç nënvizon edhe i dërguari i gazetës italiane ‘Avvenire’, Salvatore Maca:

Përgjigje: - Që para se të arrinte, Papa tha: “Ky për mua është qytet plot me kujtime”, sepse ka qenë këtu shumë herë për të pushuar, së bashku me të vëllain, Georg e me motrën, Mari; më pas, si i vdiq e motra, është rikthyer këtu, gjithnjë me të vëllain, Georg, që arriti mbrëmë, menjëherë pas Papës. Prej këndej mund të themi se pushimet po marrin përmasën thellësisht familjare, si në kuptimin e takimit të Papës me vëllain, ashtu edhe me banorët e vendit. Këtu Papën Racinger e njohin shumë njerëz, të cilët e kanë takuar disa herë në të kaluarën… e prandaj ndjehet fort atmosfera e familjaritetit dhe e intimitetit. E kjo është diçka vërtetë e bukur.

 
Pyetje: - Qyteti i Bresanones, natyrisht, respekton dëshirën e Papës për të pushuar, por ndërkaq pret edhe ekskursionet e Atit të Shenjtë, për ta takuar, e pret edhe veprimtaritë e tij publike…

 
Përgjigje: - Është e vërtetë! Kam parë shumë njerëz, si vendas, ashtu edh turistë, duke u interesuar për lutjen e Engjëllit të Tënzot. Prandaj mund të them se njerëzit përgatiten për këtë takim të parë. Pastaj, natyrisht, ka edhe të papritura: njerëzit presin që Papa të dalë për të vizituar vendet e shumta, ku ka qenë gjithnjë gjatë pushimeve të mëparshme. Nuk janë të sigurtë, por urojnë që ta takojnë. Të shohim ç’do të ndodhë nesër e më pas akoma.

 
Pyetje: - Kujtojmë se vitet e kaluara, në Lorencago e në Lë Kombë, Papa nuk i është shmangur kurrë takimeve me njerëz të ndryshëm…

 
Përgjigje: - Jo, në asnjë mënyrë. Madje vitin e kaluar dilte çdo ditë, për të shkuar në të gjitha vendet kushtuar Zojës së Bekuar rreth Lorencagos, ku ndalohej mbrëmjeve për të thënë Rruzaren. Këtu ka më shumë mundësi të dalë për të shëtitur, sepse Seminari, ku banon, është në qendër të vendit. Kështu të gjithë kanë arsye të shpresojnë në një takim të mundshëm me Atin e Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.