2008-07-29 17:28:23

Asgjë e re në Konferencën e Lambetit, mbledhur për të kapërcyer përçarjet në gjirin e Bashkimit anglikan, lidhur me shugurimin e grave e të homoseksualëve.


(29.07.2008 RV)RealAudioMP3 Java e fundit e punimeve për ipeshkvijtë anglikanë të mbarë botës, mbledhur në qytetin e Kanterburit, në Angli, për Konferencën e Lambetit, që organizohet çdo dhjetë vjet. Të shumta, problemet e vështira, që duheshin zgjidhur, për të shmangur rrezikun e skizmave apo përçarjeve të reja në Bashkimin anglikan, sepse jo të gjithë janë të një mendjeje përsa i përket shugurimit meshtarak e ipeshkvnor të grave e të homoskesualëve dhe martesës së çifteve homoseksuale, çështje që krijojnë mosmarrëveshje si në planin teologjik, ashtu edhe në atë baritor.
Për t’u njohur nga afër me rezultatet e Konferencës, në përfundim e sipër, ftuam në mikrofonin tonë Andrea Galin, i dërguar i gazetës italiane ‘Avvenire’ në Lambet:

Pyetje: - Në ç’pikë ka arritur diskutimi ndërmjet palëve kundërshtare?

 
Përgjigje: - Them se diskutimi është bërë gjithnjë më i ashpër, në kuptimin se kundërvëniet e fillimit, janë thelluar më tej gjatë punimeve të konferencës. Është folur shumë, edhe më shumë do të flitet këto ditë, sidomos për temën e homoseksualitetit, më e vështira, që ngjall më shumë debate edhe se ajo e shugurimit meshtarak e ipeshkvnor të grave, ndoshta edhe pse këtu, në Lambet, janë të pranishme shumë gra prelate e meshtare. Kjo tregon se problemi nuk është as i ri e as i kufizuar; është diçka konkrete në disa grupe të Bashkimit anglikan; e përsa i përket temës së homoseksualitetit, konsiderohet si maja e ajzbergut, sepse pjesa që kundërshton qëndrimin aktual të kryeipeshkvit të Kantërburit, flet për korrupsion teologjik e baritor të nivelit më të lartë, që shkon përtej temës së homoseksualitetit.

 
Pyetje: - Atëherë ndërmjetësimi nga ana e Primatit të Bashkimit anglikan, kryeipeshkvit të Kantërburit, Rouan Uiljams, nuk i paska dhënë rezultatet e duhura?

 
Përgjigje: - Deri tani duket se jo. Rouan Uiljams bëri thirrje të forta për unitet e për të mirën e Bashkimit anglikan, por thirrjet e tij nuk kënaqen asnjërën nga palët kundërshtare. Madje, propozimi i tij për një lloj moratoriumi, lidhur me shugurimin e ipeshkvijve homoseksualë, krijoi tensione të reja.

 
Pyetje: - Kjo të krijon përshtypjen se jemi në prag të një skizme të re…

 
Përgjigje: - Edhe fjala skizmë është e diskutueshme, në kuptimin e lëvizjes që u krijua në nivel ndërkombëtar – lëvizje që në këtë çast i kundërvihet qëndrimit dhe rolit të Rouan Uiljams e që mori emrin GAFCON (Global Anglican Future Conference), prej emrit të Konferencës organizuar në Jeruzalem nga fundi i qershorit. Përfshin kryesisht ipeshkvij të vendeve afrikane. Kujtojmë se nuk është një fraksion i vogël, sepse përbën dy të tretat e Bashkimit, rreth 40 milionë ndjekës, ndërmjet 55 milionë besimtarëve praktikantë. Është një situatë tepër e rëndë e delikate, në të cilën palët akuzojnë njëra- tjetrën për largimn nga tradita e teologjisë anglikane.







All the contents on this site are copyrighted ©.