2008-07-29 17:31:15

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: 'Shekulli i artë i organos e hiri hyjnor i muzikës'.


(29.07.2008 RV)RealAudioMP3 Prindërve të Gjonit iu desh ta tërhiqnin zvarrë në Kishë, gjë që e bëri të mërzitej pa masë. Të shkosh të dielën në kishë, kjo kuptohet, por të flijosh të shtunën, për të parë bekimin solemn të organos, që sapo është realizuar në famulli, jo, kjo nuk është e drejtë.
Gjonit nuk i pëlqejnë fare organot: i duken si kafshë të përbindshme, plot me gypa, të shpikura kastile për t’u shurdhuar veshët njerëzve. Kur dëgjon zhurmën që bëjnë, të vjet të vraposh nga sytë këmbët. Sa herë i dëgjon, Gjoni ka përshtypjen se po i gremiset qielli mbi kokë. I duket se organoja, e vendosur në një vend të lartë të Kishës, tepër lart, ka rrezik të bjerë papritmas mbi besimtarët, që këndojnë.
Duke hyrë në Kishë, Gjoni lëshon një vështrim mosbesues e plot me urrejtje drejt përbindshit të ri. Prindërit e tij brohorasin: “Ç’ mrekulli! Me këtë dru të skalitur e me gypat që vezullojnë! Shiko, Gjon; sa mirë bëmë që të morëm me vete…”.
Po pse ngulin këmbë, xhanëm?
E pra, pas një gjysëm ore, ndodh vërtetë mrekullia: Gjoni nis të mendojë se prindërit e tij kishin plotësisht të drejtë. Ndjek një dialog tepër origjinal. Nga fundi i kishës, meshtari i jep urdhër ‘egërsirës: “Organo, instrument i shenjtë, zgjohu!”.
E organoja, si ta kishte kuptuar, nis të bëlbëzojë ndonjë notë.
“Organo, instrument i Kishës, zgjohu për të kënduar lumninë e Hyjit!” – ushton në kishë urdhëri i dytë.
Me një oshëtimë të rrufeshme, organo nis t’i këndojë madhështisë hyjnore.
“Organo, instrument i kishës, zgjohu për të kënduar mëshirën e Zotit!”.E ja se disa nota të ëmbla përhapen dalë-nga-dalë, pushtojnë hapësirën e kishës e zemrat e besimtarëve. Gjoni mrekullohet. Duke ndjekur me vëmendje urdhërat e meshtarit, kupton, më në fund, atë që i thuhet prej vitesh: organoja është instrument i jashtëzakonshëm, i aftë për të shprehur shumë gjëra. Prandaj Kisha e përdor gjithnjë më shumë në këtë shekull, në vitet 1700, e muzikantët më të shquar nisin të kompozojnë pjesë të veçanta muzikore për këtë instrument.
Sipas shpjegimit të meshtarit, muzika e organos, është një lutje e vërtetë. E vendosur në hyrje të Kishës, përmbledh mendimet e njerëzve që hyjnë, e i bën të fluturojnë drejt Hyjit. Kjo ide i pëlqen shumë Gjonit. Tani e tutje nuk do ta shikojë më organon si ta kishte armik. Do të ngrejë sytë drejt instrumentit për ta përshëndetur e lutja e tij do të lartohet përmes gypave, deri në qiell…







All the contents on this site are copyrighted ©.