2008-07-28 17:31:00

Për kujtim të Atë Pjetër Meshkallës, jezuit shqiptar, në 20 vjetorin e vdekjes.


(28.07.2008 RV)RealAudioMP3 Atë Pjetër Meshkalla është një nga njerëzit e Kishës, që meriton të kujtohet jo dy herë në vit, kur lindi e kur vdiq, por çdo ditë, sepse i prin njeriut në rrugën e humanizmit e të shenjtërisë. Si Nënë Tereza, Ai ishte shembull i dashurisë në veprim.
Në 20-vjetorin e vdekjes, po e kujtojmë me librin e fundit kushtuar figurës së tij madhore, me vlerësimin që i është bërë nga disa personalitete dhe me një cikël poetik, shkruar kryesisht për të dënuar “ujqit e veshun me lëkurë kingji’.
Libri i ri, që i kushtohet, na kujton se njerëz si Ai nuk vdesin kurrë. Mjafton të lidhim në një frazë njëri pas tjetrit gjashtë titujt, që i paraprijnë gjashtë pjesëve të tij, për të pasur parasysh figurën e jezuitit shqiptar: “Ai ishte; Ai jetoi; Ai shkroi; Ai nuk përkulej; Ai nuk thehej; Ai fitoi!
Libri është ‘botim i dytë, i përpunuem’, i veprës me të njëjtin titull, shkuar nga Fritz Radovani – De Angeliis, botuar nga Misioni Katolik në Kroaci.
Por, të kthehemi 20 vjet mbrapa e të ndalohemi tek faqet e librit, që përshkruajnë salikimet e Patër Meshkallës:

“Më datën 28 korrik 1988, populli i Shkodres, pa dallim Feje, përcolli për në banesën e fundit AT PJETER MESHKALLEN, Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në idealin e Tij. Dijetarin mendjendritun e punëtorin e palodhun per unitetin e Atdheut. Misionarin e vërtetë, Ushtarin e zdathun të Krishtit, Luftarin e paepun të Demokracisë dhe të të Drejtave Njerëzore në Shqipni, Mësuesin e pavdekshem të rinisë, kundërshtarin e papërkulun e të pathyeshëm përballë diktaturës komuniste.
Shqipja me kthetrat e Saja ka skalitë në një shkamb: “Edhe një Hero ma pak!”…”. (fq. 77)

 

 
Po Ai nuk des kurr, sepse: “ … mbështetej mbi atë parim për të cilin edhe kujtohet prej shumë qytetarëve, të cilët dikur e kishin ndigjue zanin e fuqishëm të Tij, tue ushtue prej predikatores së jezuitëve: “… e, dyert e ferrit nuk kanë me fitue,…. Nuk kanë me fitue e,….. pra, … nuk kanë me fitue!...” (fq. 134)

 
S’des, sepse “…ia mërrijti asaj ditë që pat profetizue ma parë. Ai pau me sy, çka paralajmëroi, diktatorët me të vërtetë hangrën kokat e njeni tjetrit e Atij nuk patën çka me i ba. Ai dhe ideali i Tij, FITOI! (fq.135)

Kardinali Mikel Koliqi, duke nënshkruar peticionin për dekorimin e Atë Meshkallës me Medaljen e Artë ‘Pishtar i Demokracisë’, tha: “Ai e meriton, mbasi nuk asht arrestue kur u ka rá në mend këtyne, por me punën e tij të palodhun për Fe e Atdhe, ua shtini vetë në mend se duhet të arrestohej, gja që na të tjerët nuk e kemi bâ”.(fq.136)

 
Prof. Arshi Pipa, shkruan për Patër Meshkallën: “… 25 vjet burg ndër burgjet staliniste, peshojnë ndoshta edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi”. (fq. 135)
Pater Meshkalla nuk është vënë akoma në kandarin e martirizmit, por besojmë se kur Kishës do t’i duket e arsyeshme ta vërë, do të peshojë shumë rëndë!







All the contents on this site are copyrighted ©.