2008-07-28 17:30:01

Në Engjëllin e Tënzot, përvoja e jashtëzakonshme e DBR-së treguar nga Papa, që sot arriti në Alto Adigje.


(28.07.2008 RV)RealAudioMP3 Dje, duke e kremtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot nga Kastel Gandolfo, Papa rikujtoi etapat kryesore të përvojës së jashtëzakonshme të DBR-së australiane. Në sa përgatitej të nisej për në Bresanone për një periudhë pushimi ndërmjet bjeshkëve altoatezine, Ati i Shenjtë nuk i harroi ata që pësojnë vuajtje nga më të ndryshmet e nuk mund të gëzojnë as edhe një ditë pushimi.
Duke i pasur në sy e në zemër ‘të rinjtë shtegtarë të botës’, me të cilët u takua në Sidnei, Benedikti XVI, që u kthye të hënën e kaluar nga Dita XXIII Botërore e Rinisë në Australi, deshi t’u përcillte besimtarëve të shumtë, të mbledhur dje në oborrin e selisë verore të Papës në qytezën laciale, ndjenjat dhe emocionet e kësaj përvoje:
“E kam ende në sy e në zemër këtë përvojë të jashtëzakonshme, gjatë së cilës munda të takoj fytyrën e re të Kishës: ishte si një mozaik shumëngjyrësh, i formuar nga djem e vajza ardhur nga të katër anët e tokës, të bashkuar në fenë e vetme në Jezu Krishtin”.
Të rinjtë shtegtarë, në këto Ditë ndërkombëtare, të filluara nga Gjon Pali II, janë dëshmitarë të dashurisë së Krishtit – kujtoi Papa, e shtoi:
“Këto takime formojnë etapat e një shtegtimi përmes udhëve të planetit, për të treguar sesi besimi në Krishtin na bën të gjithëve bij të një Ati të vetëm, që është në qiell, dhe ndërtues të qytetërimit të dashurisë”.
Në Sidnei posaçërisht – nënvizoi Ati i Shenjtë – u fitua përvoja e qendërsisë së Shpirtit Shenjt, protagonist në jetën e Kishës e në jetën e besimtarit të krishterë. E kështu kjo Ditë Botërore u shndërrua në ditë Rrëshajësh, nga e cila rinisi misioni i të rinjve, që janë të thirrur për të qenë apostuj të bashkëmoshtarëve, ashtu si shumë shenjtorë e të lum. Çdo djalë e çdo vajzë – shpjegoi Papa – ftohet të ndjekë shembullin e tyre, të ndajë me të tjerët përvojën personale të Jezusit, që ua ndryshon jetën miqëve të tij me forcën e Shpirtit Shenjt, Shpirtit të dashurisë së Hyjit.
Benedikti XVI, në vijim, falënderoi autoritetet kishtare e civile si dhe të gjithë ata, të cilët kontribuan që DBR-së të mos mbetej manifestim, i cili harrohet shpejt, por të lërë një gjurmë të thellë e të paharrueshme në ndërgjegjet e pjesëmarrësve dhe të të gjithë atyre, që e ndoqën me lutje. E pikërisht këta të fundit Papa i kujtoi në mënyrë të veçantë:
“Një falënderim i posaçëm u takon të gjithë atyre që, nga të katër anët e botës, u lutën për këtë ngjarje të madhe, duke i siguruar suksesin. Virgjëra Mari ua shpërbleftë të gjithëve me hire më të bukura. Marisë ia besoj edhe periudhën e pushimit, që do ta kaloj që nesër në Bresanone, ndërmjet bjeshkëve të Alto Adigjes”.
Më pas, përshëndetjet në gjuhë të ndryshme. Në mënyrë të posaçme Papa përshëndeti ata, që tashmë i kanë filluar pushimet e verës, duke u uruar ditë të qeta, që të çlodhin e të rikalitin shpirtërisht e fizikisht. Por Ati i Shenjtë nuk harroi se ka shumë njerëz, që nuk munden as t’i ëndërrojnë pushimet:
“Nuk i harroj as ata, që nuk mund të gëzojnë pakëz kohë pushimi e çlodhjeje: mendoj për të sëmurët ndër spitale e në shtëpi mjekimi, për të burgosurit, për pleqtë, për të vetmuarit e ata që e kalojnë vapën e verës në qytetet përvëluese. I siguroj të gjithë se jam pranë tyre e i kujtoj plot dashuri në lutje. Javë të gëzuar, të gjithëve!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.