2008-07-28 17:32:17

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Gjon Batista de La Sale, themelues i shkollave për të varfër".


(28.07.2008 RV)RealAudioMP3 Gjoni e shtyn ngadalë portën e klasës: është me vonesë. Mësuesi e vëren të vonuarin, por nuk i bërtet; mjaftohet t’i tregojë, me majën e stapit, katër shkrimet mbi katër kartone të bardha varur në mur:
“Nuk duhet të mungoni kurrë në shkollë, pa lajmëruar; as të vonoheni, pa leje. Nuk duhet humbur kurrë kohë kur shkruhet. Duhet dëgjuar me shumë vëmendje katekizmi. Duhet lutur Zoti me fe të gjallë, në Kishë e në shkollë”.
Gjoni ulet në bankën e tij e humbet në faqen e një libri. Ndërsa nxënësit studiojnë, mësuesi kalon ndërmjet bankave. Në klasën e tij mësojnë fëmijë punëtorësh, por edhe tregtarësh e zejtarësh. Në se janë të gjithë së bashku, kjo është meritë e Gjon Batista de La Sales, themelues i Institutit ‘Vëllezërit e Shkollave të Krishtera’. Kur mësuesi e takoi për herë të parë Gjon Batista de La Salen, ishte student. Kishte shumë simpati për këtë burrë të thjeshtë, që shpesh ua lante fëmijëve kokat plot me morra e fliste me kënaqësi në dialekt, që fjala e tij të kuptohej sa më mirë. E pra ishte bir gjykatësi, ishte i pasur… E pastaj? Ç’rëndësi ka kjo. Rëndësi ka që Gjoni ishte njeri i mirë. Sipas tij fëmijët, pavarësisht nga shtresa shoqërore, së cilës i përkasin, kanë të drejtë të ndjekin shkollat e krishtera, që duhet t’i bëjnë njerëz të vërtetë. Nuk duhet të turpërohen nga gjendja e tyre.
Gjon Batista themeloi më se pesëdhjetë shkolla në të gjithë mbretërinë: shkolla bamirësie, shkolla profesionale, kolegje për fëmijët me probleme… Grumbulloi njëzet e pesë bashkësi të vëllezërve me të njëjtin mision: të japin mësim; e me të njëjtin qëllim: të ndihmojnë në veprën e krijimit, duke i shkolluar të rinjtë. Vëllezërit e Shkollave të Krishtera ishin shekullarë e jo meshtarë. Ashtu si nxënësit, u përkisnin të gjitha shtresave shoqërore.
Duke krijuar Institutin e tij, Gjon Batista de La Sale, nguli këmbë që mësimi të jepej falas, katekizmi të ishte i përditshëm e nxënësit të trajtoheshin me mirësi.
“Mos i poshtëroni nxënësit; mos i tallni, në se janë të paaftë; mos i rrënoni talentet …” – i pëlqente të përsëriste.Shpesh parimet e tij viheshin në lojë, konsideroheshin qesharake. Nga të pasurit, natyrisht. Por, pavarësisht nga qëndrime të tilla, në vitin 1725, gjashtë vjet pas vdekjes së tij, përmes një bule papnore, vepra e palodhur e Vëllezërve të Shkollave të Krishtera u njoh zyrtarisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.