2008-07-27 14:44:58

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(27.07.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën XVII të Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.U përkujtuan edhe Shën Pantaleoni, mjek e martir dhe Shën Çelestini, papë.

Një farë e vogël mund të shndërrohet në pemë të madhe; pakëz tharm thar gjithë brumin. Nuk duhet ta gjykojmë mbretërinë e qiellit nga dukja, sepse veprat e Hyjit janë të paparashikueshme. Këtë na kujtojnë Shenjtorët Urbani II e Vitori papë, Nazari e Çelsi, martirë milanezë dhe Shën Ezekieli profet, që do të kremtohen të hënën.

‘Na e trego, o Zot, dritën e fytyrës sate’ - na fton të përsërisim liturgjia e së martës, ditëfeste e Shën Martës, dishepulle e Zotit. Krishti nuk i dënon punët me të cilat merret Marta, sepse edhe ai vetë ka nevojë për to, por dëshiron të nënvizojë praninë e tij, të cilën mund ta zbehë shqetësimi për ta pritur sa më mirë.

Të mërkurën do të kremtohen Shën Pjetër Krizologu, ipeshkëv i Ravenës e dijetar i Kishës dhe Shenjtorët Abdon e Senen, martirë. Na kujtojnë se mbretëria e qiellit është një thesar me vlera të pallogaritshme, që nuk duhet nënvleftësuar. Kush ka fatin ta gjejë, duhet të bëjë çmos ta shfrytëzojë për vete e për të tjerët.

Liturgjia e së enjtes, në festën e Shën Injacit të Lojolës, meshtar, themelues i Shoqërisë së Jezusit, na kujton simbolet tipike të krishterimit: peshkatarin, peshkun e peshkimin. Peshkatari e di se në rrjetë nuk zihen vetëm peshq të mirë; ka edhe të kqinj, që duhen ndarë nga të mirët. Rëndësi ka të jesh ndërmjet peshqve të mirë.

Të premten do të kremtohen Shën Alfons Maria de’ Liguori, ipeshkëv e dijetar i Kishës, themelues i Kongregatës të të Shëlbuemit, 7 Shenjtorët vëllezër Makabej dhe i lumi Pjetër Favre, jezuit. Na kujtojnë se shpesh herë planet tona nuk përkojnë me planet e Zotit, të cilave duhet t’u nënshtrohemi pa fjalë, sepse janë plane shëlbimi.

Liturgjia e festës së Shën Euzebit, ipeshkëv i Verçelit, Shën Pjetrit Gjuliani Eimard, themelues i Sakramentinëve dhe Shën Shtjefnit papë, që do të festohen të shtunën, na kujton Shën Gjon Pagëzuesin, i cili ia gatoi rrugën Zotit me fjalët e tij e me vdekjen e tij. Martirizimi i Gjonit, prelud i fatit që do t’i takojë vetë Jezusit e të gjithë atyre, të cilët i kundërvihen së keqes, për hir të emrit të tij, është njëkohësisht edhe prelud i fitores mbi të keqen e mbi vdekjen.

Të dielën e ardhshme Kisha do të vijojë liturgjinë e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kremtuar të dielën XVIII të kësaj kohe.







All the contents on this site are copyrighted ©.