2008-07-27 14:54:21

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Predikatari e shenjti i madh, Luigj Maria Grinjon dë Monfort".


(27.07.2008 RV)RealAudioMP3 Ka një karakter të padurueshëm! Luigji Dë Monfort del për të qindtën herë duke përplasur portën. E ëma pyet me shqetësim veten ç’do të bëhet ky djalë në të ardhmen. Zemrën ia pushton ankthi. As nëpër mend nuk i shkon se djali i saj, në të ardhmen, do të bëhet shenjt i madh!
Në vitin 1692 Luigji largohet nga Bretanja, vend ku ka lindur, për të shkuar në Paris, në seminarin e Shën Sylpicit, ku shpreson të pranohet me ndihmën e një mikeshe të familjes. Mendon se më në fund do të mund t’ia kushtojë gjithë jetën të varfërve e të braktisurve, duke e lëshuar plotësisht veten në duart e Provanisë hyjnore. Pa përshkuar ende as dhjetë kilometra, i dhuron të gjitha paratë që i kishin dhënë prindërit për udhë e edhe veshjet, të cilat i ndërron me një grumbull leckash. Arrin në Paris pas tetëmbëdhjetë ditësh, pa asnjë kacille në xhep e i veshur si lypsar…
E pret zhgënjimi i parë: mikesha e familjes ka harruar fare se ekziston ndopak. Kështu Luigjit i duhet të gjejë strehë në një institut për seminaristët skamnorë. Po kjo nuk e shqetëson aspak. Është në përkim të plotë me dëshirën për t’i jetuar pikë për pikë porositë ungjillore. Madje edhe e tepron: nis ta mundojë veten, lutet për orë e orë, nuk pajtohet me vetveten, por as me të tjerët. I shuguruar meshtar në vitin 1700, nuk lejohet të shkojë në misionet kanadeze. Eprorët e tij kanë frikë se për shkak të zellit të tepruar, do të humbasë në thellësinë e pyjeve, duke kërkuar indianët e egër për t’i ungjillëzuar. Kështu, në vend që të shkojë në Kanada, caktohet në Nantë, në një bashkësi meshtarësh.
Nantë, Puatje, Dinan, Sent–Malò, Sent-Briëk.. nga një qytet në tjetrin, nga një dështim në tjetrin. E kritikojnë se vishet me zhele për të respektuar frymën e varfërisë, e akuzojnë për shkandull, kur krijon një bashkësi për vajza me aftësi të kufizuara fizike, e tallin për këngët që kompozon me aq dashuri. E kur çon në këmbë mbarë popullin për të ndërtuar një monument të Kalvarit, vepra e realizuar shembet, sepse tërheq shumë njerëz.
Pas një sërë dështimesh, Lugji-Maria e shikon se duhet ta përmbajë sadopak veten. Ndonëse pa shumë dëshirë, pranon të vishet si gjithë bota, ndjek shoqërinë e mirë e sidomos, bëhet shumë më gjakftohtë. Kështu arrin t’i shfaqë plotësisht karizmën dhe aftësitë e tij oratorike. Në pesë vjetët e fundit të jetës, tërheq turma të mëdha. Ndryshe nga predikatarët e ditur, di t’u flasë edhe njerëzve më të përvujtë. Prek zemrat e të urtëve e të paurtëve, duke i udhëhequr drejt Zotit.
Por atij, që e lëshoi plotësisht veten në duart e Provanisë hyjnore e pranoi çdo provë, si dhuratë, që i vinte nga qielli, shumë shpejt i shterrojnë të gjitha forcat. Më 28 prill 1716 Liugji Maria vdes në moshën 43 vjeçare. 







All the contents on this site are copyrighted ©.