2008-07-26 13:36:52

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 17-të 'A'


(26.7.2008 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Meshës së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjore të dielës së 17-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është Mbretëria e Zotit, të cilën kësaj here Ungjilli i së dielës na e paraqet si thesarin më të çmueshëm, të cilin njëherët që gjendet, e nxit çdo njërin të flijoj gjithçka për ta pasur atë. Kështu pra, dëgjues të nderuar, me këtë diele mbyllen leximi apo kumtimi i kreut 13-të të ungjillit të Mateut, që na ka paraqitur mësimin e Jezusit mbi Mbretërinë e Hyjit dhe dinamiken e brendshme të ritmuar mbi besimin, durimin, përvujtërinë e fenë.
Në tri shëmbëlltyrat e shkurta e të fundit të kreut të 13-të të ungjillit të Mateut që kumtohet këtë të diele, Jezusi e përqendron vëmendjen, më shumë se mbi Mbretërin e Qiellit, mbi atë që ndodh në atë njeri që e takon apo e zbulon Mbretërinë e Zotit. Në zemër të këtij njeriu që e takon apo zbulon Mbretërinë Qiellor, në zemër të tij lind një gëzim i madh që gëzimet tjera i bënë të vogla e sekundare në krahasim me vlerën e Mbretërisë Qiellore si dhe e bënë të aftë të heqë dorë nga gjithçka vetëm e vetëm për ta "blerë perlen e çmueshme".
Atë çka Jezusi na thotë në ungjillin e kësaj së diele, është gjë e vërtetë dhe e bukur, e vetëm njeriu që e ka përjetuar apo që do ta përjetojë atë çka Jezusi thotë, mund të dëshmojë sa gjë e bukur, e vërtetë dhe e rëndësishme është për jetën tonë njerëzore, sepse përderisa do të jemi në detin e historisë e në rrjetën e Mbretërisë Hyjnore, gjithmonë mund të jemi peshqi të mirë e të këqij njëkohësisht. Prandaj, të jemi të angazhuar, të gëzuar e të përvuajtur në pritje të gjyqit të mbramë të Zotit, kur egjra do të ndahet përgjithmonë prej grurit e peshku i mirë prej atij të keq. Fjala e Zotit e kësaj së diele na thërret të kthehemi në rrugën e Zotit e të heqim dorë nga çdo gjë tjetër që e pengon udhën tonë drejt Zotit, që e pengon shenjtërimin e jetës sonë sipas porosisë së Krishtit Zot.
T'i kërkojmë Hyjit të na fal dhuratën e urtisë për ta kuptuar, dashur e zbatuar ligjin e tij që është më i çmueshmi e më i miri se çdo thesar tjetër. Më tepër mund ti dëgjoni këtu leximet biblike dhe komentin........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.