2008-07-25 18:23:44

Rikthehet një mik i madh i kësaj toke: kështu shprehet rektori i Seminarit të Bresanones, dom Ivo Muser, që na tregon si e pret Papën Benedikti XVI të hënën e ardhshme.


(25.07.2008 RV)Afrohet dita kur edhe Papa do të niset për të pushuar. Sivjet zgjodhi bjeshkët e Bresanones, ku do të kalojë dy javë. Alto Adigje është një vend që Papa e njeh mirë. E vizitoi për herë të parë në vitin 1967, me rastin e një takimi me temën e rolit të meshtarisë, në të cilin merrnin pjesë rektorët e seminareve të mëdha të kësaj zone gjermanofolëse. Pastaj ishte këtu kur u shugurua ipeshkëv e edhe kur u krijua kardinal… Dhjetë vjet me radhë, nga viti 1977 deri në vitin 2004, i kaloi pushimet pranë Seminarit të madh të Bresanones. Edhe sivjet Papa do të pushojë në Seminar, ku rektori, dom Ivo Muser, e pret me gëzimin e atij që bëhet gati të ritakojë një mik të vjetër, tejet të dashur. Ta dëgjojmë, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - E presim me gëzim të madh e me emocion të madh, natyrisht si papë, pasardhës i Shën Pjetrit, por edhe si mik të vjetër, që e njeh mirë shtëpinë tonë, qytetin tonë, trojet tona.

 
Pyetje: - Troje që i ka dashur gjithnjë. Në fund të fundit mund të themi se ka 30 vjet që kardinali Razinger një herë, Papa tani, shpreh dashurinë e tij për këtë tokë…

 
Përgjigje: - Po, kështu është, sepse hera e parë kur erdhi tek ne, si kryeipeshkëv e kardinal i Munihut, ishte viti i largët 1977. Herën e fundit erdhi më 2004. E tanishmja është hera e 11-të që vjen. E këtë herë, si papë.

 
Pyetje: - A ju ka mbetur në kujtesë ndonjë cilësi e veçantë e kardinalit Razinger?

 
Përgjigje: - Do të thosha sidomos thjeshtësia e tij. Ishte vërtetë një mysafir ndërmjet mysafirëve. Kremtonte çdo ditë Meshën Shenjte, së bashku me të vëllaun, në kapelën tonë. Hante në seminarin tonë, së bashku me meshtarët e tjerë, bisedonte me të gjithë, shëtiste. Të prekte vërtetë me thjeshtësinë e tij.

 
Pyetje: - Sipas jush, ç’vlerëson më shumë Papa në viset tuaja?

 
Përgjigje: - Ndoshta atmosferën. Edhe peizazhin, qytezën tonë e ndoshta edhe kulturën e gjuhën tonë.

 
Pyetje: - Papa natyrisht vjen për të pushuar, por ne e dimë tashmë se pushimi i tij është shumë aktiv në aspektin intelektual. Ndoshta kjo mund të jetë edhe një periudhë e frytshme…

 
Përgjigje: - Sigurisht, e unë uroj të jetë. Uroj, sidomos, të kalojë ndonjë ditë çlodhjeje, pushimi, meditimi. Pastaj këtu, në seminarin tonë, do të ketë në dispozicion bibliotekën, si të lashtën, ashtu edhe modernen. E e dimë të gjithë se Papa është njeri kulture. I pëlqen shumë të lexojë, të studiojë.

 
Pyetje: - Pastaj, sigurisht, do të takohet edhe me njerëzit. Me meshtarët, sidomos. Duke menduar për dhjetë pushimet e tjera të kardinalit Racinger ndërmjet jush, a kujtoni ndonjë takim të veçantë?

 
Përgjigje: - Kardinali ka bërë disa shëtitje e, gjatë tyre, është takuar gjithnjë me famullitarët, me meshtarët e vendit. Këtë herë, natyrisht, do të jetë një takim i gëzueshëm, por edhe zyrtar, në katedralen tonë, këtu në Bresanone, ku janë ftuar të marrin pjesë të gjithë priftërinjtë: dioqezanë e rregulltarë.

 
Pyetje: - Sapo thatë se, kur e njeh Papën nga afër, të prek posaçërisht ëmbëlsia e tij, mirësjellja, mënyra si komunikon me çdo njeri…

 
Përgjigje: - Është pikërisht kështu. Ëmbëlsia, thjeshtësia. E pastaj edhe aftësia për t’i marrë seriozisht ata që takon, që i ka pranë.

 
Pyetje: - Njeri i madh i kulturës, Papë intelektual, por edhe i pajisur me një humor të hollë, të cilin duhet ta keni vërejtur edhe ju…

 
Përgjigje: - Kështu është. Ne e vërejtëm këtë aftësi të tij, këtë dhanti, posaçërisht gjatë drekave ose gjatë shëtitjeve.

 
Pyetje: - Ndonjë kujtim i veçantë?

 
Përgjigje: - Herën e fundi që ishte këtu, tek ne, pata nderin ta shoqëroja në Regensburg e, kur po kalonim kufirin ndërmjet Austrisë e Bavarisë, kardinali më tha: “A e ndjen si ndërron ajri, si bëhet më i mirë? Tani do të kemi ajrin më të mirë në botë: ajrin bavarez!”. Shenjë e vogël e lidhjes së madhe që ka Papa me tokën e tij. Aspekt shumë njerëzor, shumë simpatik. I përket mbarë botës, gjithë Kishës, por kjo nuk e shkëput aspak nga rrënjët e veta.

 
Pyetje: - Ç’ uroni, si rektor i seminarit, për këtë pushim të Papës ndërmjet sivëllezërve e besimtarëve të dioqezës suaj?

 
Përgjigje: - Që kjo periudhë me Papën në mesin tonë, të jetë nxitje e vërtetë shpirtërore. Kemi mes nesh Papën. E kjo na nderon, por duhet të jetë edhe një nxitje për fenë, për përshpirtërinë tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.