2008-07-25 18:30:49

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Kateri Tekakuita, murgesha e parë lëkurëkuqe".


(25.07.2008 RV)RealAudioMP3 “Tekakuitaaaaa!”. Plaka irokeze e thërret të mbesën me sa zë që ka.
“Po ku humbi, moj xhane, kjo përtace e keqe!?”.
Një vajzë e re afrohet, e mërzitur nga klithmat e plakës e hyn në kasolle.“Ende s’e more vesh, moj Ganantaha! Tekakuita nuk punon sot: për të krishterët është ditë kushtuar Zotit. Mbesa jote është duke u lutur në kishën e ndërtuar nga zhgunamurrtët, meshtarët e të krishterëve”.
Tërbimi i plakës arrin kulmin. “Çdo shtatë ditë më duhet të dëgjoj të njëjtën histori. Një ditë e tërë fare pa punë! Bukuri! Me që nuk do ta fitojë bukën e gojës, të rrijë pa ngrënë”.
“Mos fol kështu, Ganantaha”, përgjigjet fqinja, “Kjo është thjeshtë padrejtësi. Tekakuita punon pa pushim, nga agu në muzg, për ty e për tët shoq. Të gjithë e admirojnë për mirësjelljen e për guximin e saj”.
“Po ti, pse i fut hundët aty ku nuk të takon? Unë e Onsegongu u treguam tepër të mirë me të. E morëm në shtëpinë tonë që të vogël, pasi i vdiqën prindërit. I jati ishte një luftëtar i madh. Ai, po, qe irokez i vërtetë. Ndërsa e ëma, për fat të zi, u kthye në fenë e zhgunamurrtëve: si e ëma, ashtu e bija. Mbesa jonë e vogël shpëtoi gjallë nga lija, por e humbi pothuajse fare dritën e syve. Prandaj ia ndërruam edhe emrin: quhej Ylli i vogël i qiellit, pastaj u bë Tekakuita, ‘ajo që ecën me çap të pasigurt’. S’lamë gjë pa bërë, për ta larguar nga zhgunamurrtët, por ajo qerratuce, me ta se me ta”.
Jemi në vitin 1676 e Tekakuita, njëzetvjeçare, sapo mori Pagëzimin. Tani ka një emër të krishterë: quhet Kateri, sipas shqiptimit irokez të emrit Katerina. Por për paganët mbetet gjithnjë Tekakuita. Kateri është një lloj hirusheje në familjen, që e bëri bijë në shpirt. Gjithnjë në punë, ndonëse e brishtë; e gjithnjë e shfrytëzuar në familjen e re, që e shikon tepër shtrembër kthimin e saj në fenë e krishterë. Plaka e plaku bënë çmos ta shkëpusnin nga Kisha, por nuk ia dolën. Vajza ishte tepër ëmbël, por edhe e vendosur. E përballoi tërbimin e ligësinë me gjithë mirësjelljen e mundshme.
Gjithsesi, një ditë u lodh nga trajtimi i padrejtë e kështu vendosi të ikë nga shtëpia e të strehohet tek një i krishterë, shtëpia e të cilit ishte disa ditë udhë larg. Për të arritur, duhet të udhëtoje në këmbë e me barkë. Atje Katerin e priste një gëzim i papërshkrueshëm. Gjeti disa nga mikeshat e së ëmës. Edhe ata kishin ikur, sepse pagantë ua kishin bërë jetë skëterrë. Kështu Kateri u bë murgesha e parë lëkurkuqe e Kanadasë. Papa Gjon Pali II e shpalli të Lume më 22 qershor 1980.







All the contents on this site are copyrighted ©.