Atmosferë pritjeje në Bresanone, për arritjen e Papës. Me ne, imzot Eger.
(24.07.2008 RV)Do të jetë ai që,
të hënën e ardhshme, do t’i urojë mirëseardhjen Atit të Shenjtë, së bashku me autoritetet
civile, ndërsa këmbanat do të bien të gjitha përnjëherësh, në shenjë përshëndetjeje.
Imzot Vilhelm Eger, ipeshkëv i Bolzano-Bresanones, përgatitet për të pritur Benediktin
XVI, i cili do të arrijë këtu më 28 korrik, për të kaluar 15 ditë pushimi në bjeshkët
e Bresanones, ku do të qëndrojë deri më 11 gusht. Dihet prej kohe se dy veprimtaritë
kryesore publike të Papës gjatë pushimeve, do të jenë kremtimet e dy lutjeve të Engjëllit
të Tënzot, më 3 e më 10 gusht, në Sheshin e Katedrales. Duke folur para mikrofonit
të Radio Vatikanit, imzot Eger e përshkruan kështu atmosferën që ndjehet në
qytet e në të gjithë dioqezën e tij:
Përgjigje: - Pritet me
padurim arritja e Atit të Shenjtë për pushime. Shumë njerëz më thotë se e ndjejnë
veten të gëzuar, e edhe të nderuar, që Papa do t’i kalojë pushimet ndërmjet nesh.
Tashmë jemi përgatitur për pritjen, madje kemi gati edhe listën e njerëzve që do të
jenë të pranishëm në lutjen e Engjëllit të Tënzot. E kjo, sepse Papa do ta kremtojë
lutjen mariane në Sheshin e Katedrales, ku mund të hyjnë vetëm nëntë mijë vetë. Për
siguri, të gjithë kanë regjistruar emrin dhe numrin e kartës së identiteit, e kështu
e dimë kush janë këto nëntë mijë vetë.
Pyetje:
- Imzot Eger, do të ketë edhe ndonjë kremtim tjetër papnor publik, apo
vetëm këto dy lutje mariane?
Përgjigje:
- Impenjimi i parë, që ne po e quajmë publik, është arritja në sheshin para seminarit.
Do ta presim në një atmosferë familjare, pa fjalime zyrtare. Pastaj dy lutjet mariane,
e pastaj akoma, një takim me klerin më 6 gusht e pastaj festa e bukur e Shndërrimit
të Zotit, ditë liturgjike në shenjë. Këto ditë po mbledhim pyetjet, që duan t’i bëjnë
meshtarët Papës, i cili ka shprehur gatishmërinë t’u përgjigjet pyetjeve të sakta.
Të shumtë, janë pastaj, njerëzit që do të dëshironin ta takonin Atin e Shenjtë. Dikush
dëshiron ta ftojë për drekë, një tjetër, propozon shëtitje të mrekullueshme, një tjetër
akoma, ëndërron një bisedë teologjiko- baritore me të. Koordinatori i pushimeve papnore
më tha se nuk i ka numruar më propozimet, mbasi kaluan numrin 200.
Pyetje:
- Me sa dimë, nuk është hera e parë që Papa pushon këtu. Prandaj mund të themi se
njeh mirë zonën…
Përgjigje: - Më vinin
gjithnjë kërkesat e tij për ta pritur në seminarin e madh. Çdo vit një letër shumë
delikate e në fund, edhe një falënderim. Kur ishte ende kardinal, Papa i kaloi dhjetë
herë pushimet në seminarin e madh. Shpresojmë se edhe këtë herë do të gjejë atë qetësi
që dëshiron, sidomos për kohën e lutjes. Por i pëlqen shumë edhe biblioteka e seminarit.
Ndoshta edhe këtë herë do të ulet për të shkruar diçka të re. Ne shpresojmë se do
të gjejë këtu pushimin e duhur për shpirtin e për korpin. Na takon ne ta mbrojmë pushimin
e tij, përballë gjithë këtyre kërkesave. T’i sigurojmë atë qetësi, për të cilën ka
aq shumë nevojë, pas impenjimeve të forta të javëve të fundit.