2008-07-24 17:01:09

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Margerita Maria Alakok dhe festa e Zemrës së Krishtit".


(24.07.2008 RV)RealAudioMP3 Këmbanat e Bazilikës së Parej–lë Monial bien njëherësh e tingujt e tyre përhapen në zagushinë e një dite gushti të vitit 1671. Një vajzë me fytyrë rrezëllore përshkon me çap të lehtë navatën kryesore. Rrezaton gëzim, sepse ka vendosur t’ia kushtojë gjithë jetën Zotit. Që kur ishte pesë vjeçe, Krishti e pyeti në se dëshironte të bëhej lajmëtarja e Zemrës së tij hyjnore mes njerëzve.
Pas kremtimit, Margerita-Maria niset për në kuvendin e vizitandineve, duke iu përgjigjur thirrjes, që e pati dëgjuar që kur ishte ende e njomë: “Këtu të dua!”. Por Nëna Eprore nuk është e kënaqur: nuk i pëlqejnë fare rregulltaret që flasin për vegime. E Margerita-Marisë duket se i pëlqejnë shumë, prandaj s’le rast pa i kujtuar…

Më 27 dhjetor 1673 Zoti i duket Margerita-Marisë. I duket rishtas një vit më vonë. I kërkon, në mënyrë të posaçme, të gjunjëzohet çdo të enjte, një orë, nga ora njëmbëdhjetë e natës, deri në mesnatë, për t’u lutur, për të vuajtur, për të kërkuar falje për mëkatet e botës. Margerita-Maria është plot gëzim. Ideja se kështu do ta ngushëllojë Krishtin, e bën të lume. Atë po, por jo eproren, që beson se rregullarja është e prishur nga mendtë, prandaj nuk e lejon ta bëjë, atë që kërkon. Thellësisht e hidhëruar, Margerita sëmuret rëndë.
“Lutju Zotit të të shërojë”, i thotë eprorja, “e në se do ta bëjë këtë, do të ta jap lejën që më kërkove”.
Murgesha e re shërohet menjëherë.
Nëna Eprore merr përgjigjen që dëshironte, por megjithëkëtë vijon të ketë shumë dyshime. Më 1675 Margerita-Maria më në fund gjen një aleat. Klaudio de La Kolombierë, rregulltar jezuit, e kupton se vegimet e saj nuk janë të sendërgjuara dhe nis ta dëgjojë me vëmendje të madhe, ta mbështesë e ta ngushëllojë. E atëherë vjen vegimi më prekës: Krishti i duket Margeritës dhe e porosit të kërkojë caktimin e një feste kushtuar Zemrës Hyjnore. I kërkon edhe t’ i tregojë mbarë botës sa e thellë është dashuria e Zemrës së Krishtit, që plagoset vazhdimisht nga mëkatet e njerëzve. Me ndihmën e Atë Klaudios de La Kolombierë, Margerita-Maria përpiqet me zell të madh për ta kryer misionin e ngarkuar. Një vit më pas, përpjekjet e saj shpërblehen. Me forcën e lutjes, të duresës e të ndigjesës, ia del mbanesh që gjithë bashkësia ta adhurojë Zemrën e Krishtit në ditën e caktuar nga vetë Zoti. Lind, kështu, festa e Zemrës së Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.