2008-07-23 18:35:52

Papa ipeshkvijve afrikanë: ‘Gjeni mënyra të reja e të suksesshme për të paraqitur të vërtetën e pandryshueshme të Ungjillit’.


(23.07.2008 RV)RealAudioMP3 “Të ungjillëzosh kulturën e të inkulturosh Ungjillin, është mision sa i lashtë, aq edhe i ri”: kështu shkruan Papa në mesazhin, që u lexua sot paradite në hapjen e takimit të organizuar në Bagamojo të Tanzanisë, nga Këshilli Papnor i Kulturës, me temë “Perspektivat baritore për Ungjillëzimin e ri në kontekstin e globalizimit dhe të pasojave të tij mbi kulturat afrikane”. Në takimin katërditor po shkëmbejnë mendime anëtarët e dikasterit vatikanas me ipeshkvijtë afrikanë, që drejtojnë punën baritore kulturore. Punimet, pas Meshës Shenjte, kryesuar nga kardinali Polikarp Pengo, u hapën me fjalimin e kryeipeshkvit Gjanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës i cili, në pamundësi për të qenë i pranishëm, ia besoi leximin Atë Bernard Ardurës, sekretar i dikasterit.
Benedikti XVI i porosit ipeshkvinjtë afrikanë, të mbledhur nga të katër anët e Kontinentit, të gjejnë mënyra të reja e të suksesshme për të paraqitur të vërtetën e pandryshueshme të Ungjillit e sidomos vlerat e gëzimit të jetës, të respektit për fëmijën që pritet të lindë, rolit të rëndësishëm të familjes, të bashkimit e të solidaritetit, karakteristike për kulturat afrikane.
Qëllimi kryesor i këtij takimi është pikërisht të thellojë përmasën kulturore të zhvillimit të qëndrueshëm, që është i domosdoshëm për ardhmërinë e Kontinentit afrikan. Jo rastësisht takimi organizohet në Bagamojo, port në bregdetin verilindor të Tanzanisë, vend me një të kaluar tepër të trishtuar, që të kujton tregtinë e skllevërve të caktuar për t’u shitur në tregjet e Zanzibarit. Pikërisht këtu, në vitin 1868, qe hapur një mision për të mbrojtur viktimat e kësaj tregtie të turpshme. E edhe sot, si atëherë, Kisha impenjohet ta mbrojë dinjitetin e njeriut nga format e lashta e moderne të skllavërisë, të cilat nuk i gjejmë vetëm në Afrikë. I kemi prapa portës sonë e ndoshta-ndoshta, brenda shtëpisë sonë. Skllavërinë mund ta shikojmë kudo: ka fytyrën e shekullarizmit gjithnjë më të përhapur, që e plagos rëndë lirinë e njeriut, e cila duhet të ishte e paprekshme.
Prandaj kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën zgjodhi temën: “ Sfidat kulturore të shekullarizmit, të përhapura përmes mondializimit”.
Sot njeriu i shekullarizuar jeton me bindjen se është fare e kotë të luftosh kundër Zotit, siç bënin ateistët militantë, sepse mjafton që Zoti të bëhet pafuqishëm, të përjashtohet nga bota jonë. Mjafton të krijohet atmosfera e indiferencës, karakteristike për qytetin e shekullarizuar, që nuk jeton më as me Zotin, as kundra Zotit, sepse jeton pa Zot!Prej këndej edhe porosia e Papës, aktuale për të gjithë besimtarët: “Gjeni mënyra të reja e të suksesshme për ta paraqitur të vërtetën e pandryshueshme të Ungjillit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.