(23.07.2008 RV)O Zoti im, besoj në
Ty, ma përforco besimin; shpresoj në Ty, ma jep shpresën; të dua Ty, ma rrit dashurinë,
pendohem para Teje, ma shto pendesën. Të adhuroj, si fillesën e parë, të dëshiroj
si qëllimin e fundit, të lavdoj, si bamirësin tim të përhershëm; të thërras në ndihmë,
si mbrojtësin tim sovran. Të lutem, më drejto me urtinë tënde, më gjyko me drejtësinë
tënde, më ngushëllo me mëshirën tënde, më mbro me fuqinë tënde. Ty t’i kushtoj,
o Zoti im, mendimet e mia, fjalët e mia, veprat e mia, vuajtjet e mia. Që sot e tutje,
do të mendoj veç për Ty, do të flas për Ty, do të veproj si të më thuash Ti, do
të vuaj për Ty. Dua atë që do Ti, siç e do Ti, sepse e do Ti! Të lutem o
Zot, ma jep urtinë, ma kalit vullnetin, ma pastro trupin, ma shenjtëro shpirtin.
Më ndihmo o Zot, të pendohem për mëkatet, të fitoj mbi tundimet, të praktikoj virtytet.
Ma mbush zemrën me dashurinë e mirësinë tënde, me mërinë për hipokrizinë, me zellin
për të afërmin, me neverinë për vesin. Më ndihmo ta mund kopracinë me lëmoshë,
zemërimin me ëmbëlsi, përtacinë me vetmohim. Më ndihmo të jem i pjekur në këshilla,
i qëndrueshëm në rreziqe, durimtar në prova, i thjeshtë në sukses. Bëj, o Zot,
të jem i përkushtuar në lutje, i përmbajtur në të ngrënë, i zellshëm në punë, i qëndrueshëm
në vendime. Më mëso ta kem zemrën të pastër, veshjen të thjeshtë, bisedën bindëse,
sjelljen të rregullt. Më ndihmo ta sundoj natyrën, të jetoj sipas urdhërimeve
të tua, të meritoj shëlbimin. Bëj që të jem gati për të vdekur, t’i druhem gjykimit
tënd, të shpëtoj nga ferri, të fitoj parajsën. Nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë. Amen!