2008-07-23 18:50:57

Konferenca anglikane e Lambetit: dëshmia e krishterë në fjalët e kardinalit Dias e të Patrikut Aleksej II.


(23.07.2008 RV)Tema e dëshmisë së krishterë ishte në qendër të fjalës që kardinali Ivan Dias, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, mbajti në Konferencën e Lambetit, ku janë mbledhur 600 ipeshkvij anglikanë, e që po zhvillohet në Kanterburi të Britanisë së Madhe. Prelati u ndal tek sfidat e ungjillëzimit: “Nëse në të kaluarën, vendi tradicional i ungjillëzimit ishte zemra e njeriut dhe shtëpia, shëndetësia dhe arësimi, të sëmurët e të moshuarit, nuk mund të injorojmë horizontet e reja që duhet të ndriçohen nga drita e Krishtit”. Ndër “areopagët” modernë që duhen ungjillëzuar – shtoi kardinali – janë sidomos mas media, bota e shkencës dhe e teknologjisë, e komunikimeve politike dhe shoqërore, bota e refugjatëve dhe e emigrantëve, e të tjerë akoma. Përsa i përket dialogut ndërfetar, kardinali Dias, ish-nunc apostolik në Shqipëri, theksoi se pasuria shpirtërore e traditave fetare jo të krishtera është ftesë për dialog, jo vetëm për ato gjëra që ato kanë të përbashkëta me kulturën e krishterë, por edhe për ato që janë të ndryshme prej saj. E pastaj sqaroi edhe se dialog do të thotë të dëgjosh me respekt të tjerët, duke qëndruar të patundur në atë që besojmë, për të kuptuar çdo gjë të mirë e të shenjtë, që favorizon paqen e bashkëpunimin. Edhe ungjillëzimi vetë ka një aspekt ekumenik, tha kardinali Dias, pasi Shpirti i Shenjtë përdor edhe kanalin e klerit për të ndikuar fenë mbi popujt e sa më tëpër të jenë të bashkuar anëtarët e një Kishe, si brenda përbrenda, ashtu edhe me anëtarët e kishave të tjera, aq më i sukseshëm do të jetë ungjillëzimi.
Për t’u shënuar edhe mesazhi i Patrikut të Moskës, Alksej II drejtuar konferencës anglikane të Lambetit, ku kujtojmë se argumentet kryesore në diskutim janë shugurimi ipeshkvnor i grave dhe i homoseksualëve. Patriku u kujton pastorëve anglikanë përgjegjësinë në zgjedhjen e normave morale biblike e në luftën kundër prirjes që e konsideron mëkatin dhe permisivizmin e përgjithshëm si shfaqje të dashurisë e të tolerancës. Aleksej II, sëbashku me kryepeshkopin ortodoks të Athinës e të gjithë Greqisë, Jeronimi, uron që me rastin e Vitit kushtuar Shën Palit, bashkësia anglikane të reflektojë se sa i ka mbetur besnike apo ka devijuar nga mësimet e parimet e Apostullit të Popujve







All the contents on this site are copyrighted ©.