2008-07-23 18:50:08

Katekizmi i Benediktit XVI në Sidnei, kushtuar Shpirtit Shenjt


(23.08.2008 RV)Papa, pas kthimit nga Sidnei, po kalon disa ditë pushimi në Kastel Gandolfo. Prandaj sot nuk u mbajt audienca e përgjithshme e së mërkurës. Tani është koha për të vjelur frytet e ngjarjeve të mëdha të DBR-së, që u përqendrua tek fjalët e Krishtit: “Do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi”. Katekizmat e Papës, kushtuar Vetjes së Tretë të Trinisë kanë qenë të shpeshta. T’i kujtojmë shkurtimisht disa prej tyre:
“Pranojeni e besoni në forcën që ka Shpirti Shenjt mbi jetën tuaj”- këtë ftesë u bëri Papa të rinjve që, të përflakur nga dashuria e Hyjit, t’ia çojnë Krishtin botës, duke e shpëtuar nga shkretëtirat e saj shpirtërore, që vijonë të pushtojnë hapësira të reja, për shkak të egoizmit, të apatisë, të frikës, të dëshpërimit. Por nuk e lehtë ta njohësh Shpirtin Shenjt – nënvizoi Papa në katekizmat e tij. Edhe figurat që përdorim për Të, si era, zjarri, fryma, tregojnë se është tepër e vështirë të shprehet me fjalë.
Shpirti Shenjt është ‘i heshtur’, i ‘padukshëm, është ‘Vetja e harruar e së Shenjtnueshmes Trini’. Por, ndonëse i harruar, i padukshëm e i vështirë për t’u njohur, është gjithnjë “autor i veprave të Hyjit”, ‘forca e jetës së Hyjit”, që fiton mbi vdekjen, ‘gurrë e ujit të gjallë, që gufon’ e që na ndihmon të gjejmë dashurinë e plotë. Të marrësh forcë nga Shpirti Shenjt, do të thotë ‘të jesh pambarimisht i ndryshuar’, ‘të jesh ‘krijesë e re’, sepse ‘asgjë nuk mund të jetë më si më parë’. Do të thotë të freskohesh nga ‘bukuria e Hyjit’, ‘të bëhesh edhe ti vetë burim freskie për të tjerët’.
Por si mund të merret forca e Shpirtit Shenjt? Hiri i Shpirtit Shenjt – kujtoi Papa – nuk është diçka që mund ta meritojmë, ose ta fitojmë; mund ta marrim vetëm si dhuratë. E kjo dhuratë, të cilën duhet ta kërkojmë me lutje, është e vetmja që mund të fitojë mbi indiferencën tonë, mbi lodhjen tonë, mbi prirjen për t’iu përshtatur kohës sonë. Ja, pra, ç’rëndësi ka lutja, heshtja brenda e jashtë nesh, për t’i krijuar hapësirën e duhur Shpirtit Shenjt, ‘forcës që vjen nga lart’, që na bën të aftë për të qenë kripë e dritë për botën tonë.
Çlirojini dhuratat e Shpirtit Shenjt! – bëri thirrje Papa – dhurata të vëna në pranga nga ‘vizioni dritëshkurtër’ i jetës, të burgosura në qelinë e errët e të ngushtë të ‘unit’ tonë i cili, siç thotë Shën Agostini – kërkon me etje dashurinë që mbaron shpejt, që nuk krijon bashkim, as harmoni të vërtetë, dashurinë që e shikon tjetrin si pronë personale, si mjet për të arritur qëllimet, dashurinë që shtiret, që bën sikur dhuron, ndërsa s’mendon tjetër, veç përfitimin vetjak. Ndërsa Shpirti Shenjt është dritë, që hap para syve tanë horizontet e pakufishme të së vërtetës, që na bën të shikojmë mrekullitë e hirit të Hyjit rreth nesh, duke na ndihmuar të fitojmë mbi ligështitë e dështimet njerëzore. Shpirti Shenjt – pohon Papa – është gati gjithnjë, e ‘edhe tani’, të ndikojë forcën e vet, që e shndërron plotësisht botën. Por duhet të kemi guxim për t’i thënë ‘po’, ashtu si Maria. Virgjëra nuk bëri vepra të jashtëzakonshme: tha vetëm një ‘po’, që ia ndryshoi faqen historisë së njerëzimit".







All the contents on this site are copyrighted ©.