2008-07-23 18:51:52

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: " Rembrandi dhe simboli i Djalit plangprishës".


(23.07.2008 RV)RealAudioMP3 Një ditë im atë u kthye në shtëpi me një libër vigan, që mezi e mbante.
“E gjeta!” – brohoriti.
Pastaj e vuri librin mbi tryezën e kuzhinës. Ishte vërtetë aq i madh, apo ashtu më dukej mua, që e shikoja me sytë e fëmijës? E megjithatë kjo vepër duhet të ishte më se një metër e gjatë. “Shpesh herë, kur ishi të vegjël”, na tha babai, me një ton gati-gati solemn “e shkonim për të shëtitur në fshat, duke parë kryqet që lartoheshin në të katër anët, më pyesnit: “Jezusi vdiq, apo jo?”… E unë s’ e dija ç’përgjigje t’ju jepja. .. Mund t’ju thosha se nuk ka dashuri më të madhe, se ajo e njeriut që e lë veten të kryqëzohet, për hir të atyre që i do, por ishi tepër të vegjël, për ta kuptuar një mister kaq të madh. Detyra ime bëhej edhe më e vështirë, kur ju më kujtonit vdekjen. E kjo, sepse unë besoj në Jezusin. Besoj në Të, sepse është i gjallë! Kërkova shumë, për të gjetur figurat që mund t’ju krijonin idenë e këtij Zoti të gjallë, kaq pranë nesh. E ja, tani e gjeta një: është figura e Hyjit, Atit tonë!”.
Atëherë babi hapi librin në faqen ku kishte vënë një shenjë, e na ftoi ta shikonim. Ishte një riprodhim i pikturës së Rembrandit “Djali plangprishës”.
“Sa plak qenka ky zotëria”, tha vëllau i madh, Andreu.
“Është babai i djalit plangprishës. I gjori, priti shumë, me sytë e ngulur në horizont. Në të vërtetë, nuk ka moshë”, u përgjigj im atë “fytyra e tij shpreh besimin e dhëmbshurinë e, në fund të zemrës, edhe lumninë. Zoti ka durim të pafundmë, na lë të kërkojmë rrugën tonë e është gjithnjë aty, ku jemi edhe ne, gati për të na pritur me krahë hapur”.
“ E duart e tij?”, pyeti Eliza, “më duken si të ishin njëra dorë burri e tjetra, gruaje”.
“Bibla thotë se u krjiuam sipas shembëlltyrës së Hyjit… burrë e grua na krijoi”- iu përgjigj im atë. “Hyji ka butësinë e përkëdhelitë e nënës për fëmijët e saj, por edhe forcën e burrit, për t’i mbrojtur”.
“ E, shikoni thembrat e djalit të gjunjëzuar, sandalet e tij të grisura. Duke qartë se ka ecur shumë”- vëren Ana.“Të gjithë duhet të ecim shumë, për ta jetuar jetën tonë, për ta zbuluar rrugën tonë, për të shkuar drejt Zotit” – e mbylli bisedën im atë. E duke mbyllur edhe librin, shtoi:
“Rembrandi jetoi në shekullin XVII në Vendet e Ulëta. Këtë kuadër e pikturoi në vitet e fundit të jetës së tij, ndërmjet viteve 1667 e 1668. Fitoi shumë para, por shpenzoi edhe më shumë ... e u martua disa herë. Nuk mund ta quash njeri të përsosur, por sigurisht është një nga piktorët që diti të tregojë, më mirë se të gjithë, sa njerëzor është Zoti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.