2008-07-21 18:00:36

Papa përshëndet Sidnein në përfundim të DBR-së. Para nisjes, Mesha me viktimat e shpërdorimeve seksuale.


(21.07.2008 RV)“Zoti e bekoftë popullin e Australisë”. Me këto fjalë Papa e përshëndeti Sidnein, prej nga u largua në përfundim të shtegtimit më të gjatë të papnisë, me rastin e Ditës së 23-të Botërore të Rinisë.
Në aeroportin e qytetit, ku ishin të pranishme të gjitha autoritetet, që siguruan suksesin e ngjarjes së madhe, e falënderoi kryeministri Kevin Rad. Ishte hera e dytë që e falënderonte, pas takimit, një orë para nisjes, me 12 mijë vullnetarët e DBR-së. Kryeministri e njoftoi Papën se tani e tutje ambasadori australian pranë Selisë së Shenjtë, deri dje në Irlandë, do të ketë një seli të përhershme në Romë. Pak para nisjes, me Benediktin XVI u takua edhe përfaqësuesi i ardhshëm diplomatik, Tim Fisher, ish-kryeminsitër dhe lider i Partisë Kombëtare. Orët e fundit në Sidnei u organizua një takim i shkurtër jashtë programit: Mesha e kremtuar me përfaqësinë e viktimave të shpërdorimeve seksuale nga ana e priftërinjve, për të cilën flet i dëguari i Radio Vatikanit në Sidnei, Roberto Piermarini:

“Si shprehje e kujdesit baritor për ata që pësuan shpërdorime seksuale nga ana e klerit, Benedikti XVI kremtoi sot paradite Meshën Shenjte, në praninë e një grupi përfaqësues të viktimave. Takimi – sipas saktësimit të drejtorit tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, që e shoqëron Papën – u mbajt në një kapelë të vogël të selisë papnore në Sidnei. Ishin të pranishme katër viktima, dy burra e dy gra, të shoqëruar nga asistentët dhe nga një meshtar, i ngarkuar për kujdesin e tyre baritor. Me Papën bashkëkremtuan kardinali Pel, zëvendës-sekretari i Sekretarisë së Shtetit, imzot Filoni dhe dy sekretarët e Atit të Shenjtë. Në përfundim të Meshës mysafirët mundën të takohen personalisht me Papën, i cili u foli fjalë të ngrohta e ngushëlluese. Biseda u zhvillua pak para takimit me 12 mijë vullnetarët e DBR-së, në një atmoferë respekti, përshpirtërie e emocioni të thellë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.