2008-07-21 18:01:38

Nga Sidnei në Madrid: të rinjtë spanjollë me gëzim drejt Ditës Botërore të Rinisë 2011


(21.07.2008 RV)RealAudioMP3 Dita e ardhshme Botërore e Rinisë do të zhvillohet pra, në Madrid të Spanjës, në vitin 2011. Që gjatë lajmërimit të bërë nga Papa Benedikti XVI në Sidnej, të rinjtë spanjollë të pranishëm shpërthyen në brohoritje plot entuziazëm. Edhe të rinjtë e dioqezës së Madridit u bashkuan shpirtërisht me moshatarët e tyre në Australi, siç na dëshmon don Natale Skarpita, diakon italian për studime në Spanjë:
“(Lajmi) u prit me entuziazëm të dukshëm nga të gjithë të rinjtë e dioqezës së Madridit, që ishin mbledhur në katedralen e Almudenës. Ishin rreth 3 mijë e kur u dha lajmi, katedralja e Almudenës shpërtheu në duartrokitje, do të thosha, të stuhishme e madje edhe mjaft koreografike, sepse të gjithë valëvisnin flamujt. Kur të rinjtë në Australi filluan të thërrisnin “olè, olè”, krejt masa e të rinjve u ngrit në një “olé” që mbuloi navatat e katedrales”.
Por ç’i thotë Kishës spanjolle ky moment i veçantë, na e shpjegon kardinali kryeipeshkëv i Madridit, Antonio Maria Rouko Varela:
“Do të thotë një çast shumë i rëndësishëm për baritorinë rinore e për ndërgjegjësimin e të rinjve spanjollë për historinë e tyre fetare, për historinë apostolike e për historinë e tyre misionare në një situatë historiko-kulturore të vështirë si ajo spanjolle, e pra, një rast për të kuptuar cili është plani historik e ku rreh shpirti i Spanjës, zemra e saj, forca e saj kulturore e shpirtërore. E gjithë kjo është shumë e rëndësishme”.
Të dëgjojmë edhe komentin e Antonio Pelajos, korrespondent i kanalit televiziv spanjoll “Antena Tres” në Romë:
“Jemi shumë të kënaqur, sepse Spanja do të jetë vendi i parë ku do të zhvillohet për të dytën herë Dita Botërore e Rinisë. E para ka qenë në vitin 1989, në Santiago de Compostela. Për ne është nder i madh, përgjegjësi e madhe dhe sfidë e madhe, sepse me të vërtetë gjendja e Kishës spanjolle dhe e brezit të ri, e të rinjve, është shqetësuese. Ekziston një mentalitet laicist, konsumistik, që vërtet i ka përfshirë keq të rinjtë. Prandaj, kjo mund të jetë një shtysë, një sfidë e madhe për të gjallëruar baritorinë rinore, e cila është thelbësore, sepse nga të rinjtë varet e ardhmja e Kishës dhe e shoqërisë”.
Paloma Gomez Borrero, një tjetër gazetare, kësaj radhe e Radios Kope, shpreh kështu gëzimin e saj në mikrofonin e Radio Vatikanit:
“Mendoj se është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, por njëkohësisht është edhe një gëzim shumë i madh, sepse sërish Spanja do të jetë në qendër të një takimi, ku marrin pjesë të rinjtë nga e gjithë bota. Prandaj duhet të jemi në lartësinë e duhur në të gjitha nivelet: si nga pikpamja e fesë, ashtu edhe nga pikpamja e organizimit, e mikpritjes. Të rinjtë ishin të lumtur deri në atë pikë, saqë kishin përgatitur bluza ku shkruhej “Ne e duam Australinë”, me një kangur të pikturuar sipër, por poshtë kishin një tjetër, në pritje që Papa të fliste. Sapo Papa tha “Madrid”, treguan ç’kishin poshtë bluzës: ariun, që është simboli i Madridit, sëbashku me vitin “2011”. Nganjëherë, sekretet janë pak publike. Ishte kaq e fortë shpresa, kaq i madh gëzimi, saqë e kishin gati edhe bluzën”.
Ç’do të gjejnë të rinjtë e gjithë botës në Madrid?
“Së pari shumë gëzim e hare, sepse Madridi është shumë mikpritës, është një qytet tashmë krejtësisht kozmopolit. Madrileni është gjithnjë krahëhapur. Prandaj, do të gjejnë një atmosferë të shkëlqyer, do të hanë shumë mirë, do të gjejnë një qytet modern, por sidomos do të gjejnë shumë njerëz, që do të luten me ta gëzueshëm”.
Paloma, pra, “Forca Spanja”…
“Sì, “Fuerza Espaňa”, que venga el mundo y que vivan los jóvenes! (Po, “Forca Spanja”, të vijë e gjithë bota e rrofshin të rinjtë!)
 







All the contents on this site are copyrighted ©.