2008-07-21 18:00:22

Benedikti XVI para fluturimit drejt Romës: “DBR-së e Sidneit dëshmon se të rinjtë janë shpresa e botës së nesërme”.


(21.07.2008 RV)RealAudioMP3 Avioni me të cilin udhëton Papa, vijon fluturimin drejt Romës: arritja në aeroportin e Çampinos parashikohet për në orën 23.00. Avioni papnor u nis nga Sidnei në orën 10.00 me orën vendase, pas ceremonisë së lamtumirës, gjatë së cilës Atin e Shenjtë e përshëndeti kryeministri Kevin Rad. Përfundoi, kështu, vizita baritore e Benediktit XVI në Australi, për Ditën XXIII Botërore të Rinisë. Një ngjarje e madhe, e paharrueshme – siç e quajti vetë Papa. Ceremonisë së lamtumirës i parapriu takimi me vullnetarët, në Parkun e Madh të Sidneit. Hollësirat për këto dy ngjarje, me të cilat përfundoi shtegtimi i nëntë apostolik i Benediktit XVI – në shërbimin e të dërguarit të Radios sonë, Alesandro Gjizoti, nga Sidnei:
“You have opened your doors and your hearts…”
“Ia hapët portat tuaja e zemrat tuaja rinisë së botës e, në emër të këtyre të rinjve, ju falënderoj!”: në ceremoninë e lamtumirës, Benedikti XVI u shprehu mirënjohjen Australisë dhe Zelandës së Re, që i mikpritën me frymë thellësisht miqësore mijëra djemtë e vajzat, ardhur nga të katër anët e botës. Papa kujtoi se të rinjtë dhe familjet e tyre flijuan shumë, që të krijonin mundësinë të ishin pranë Papës në Australi. E për këto flijime u shprehu mirënjohjen e mbarë Kishës. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi, me emocion të thellë, ditët prekëse kaluar në Sidnei dhe ripohoi se DBR-së u përket të rinjve. Ata – nënvizoi Ati i Shenjtë – e bënë këtë Ditë ngjarje kishtare me karakter global, kremtim të madh të rinisë, që u tregoi të gjithëve ç’do të thotë Kishë, popull i Zotit në mes të botës, i bashkuar në fe e në dashuri dhe i frymëzuar nga Shpirti Shenjt për ta dëshmuar Krishtin e ngjallur deri në skajet më të largëta të tokës. Pastaj Benedikti XVI u ndalua tek njëri nga kremtimet më prekëse të DBR-së:
“The Stations of the Cross in the streets of Sydney…”
“Stacionet e Udhës së Kryqit nëpër rrugët e Sidneit – pohoi Papa – na kujtuan se Krishti na deshi deri në fund të fundit e se Zoti vuan bashkë me ne, që të mund të gëzojmë bashkë me Të në lumninë e Parrizit. Shenjtëria e tij kujtoi edhe takimin me të rinjtë e bashkësisë së riedukimit. Ishte për mua një çast gëzimi e shprese - theksoi - shenjë se Krishti mund të na ndihmojë edhe në situatat më të vështira, duke na rikthyer dinjitetin tonë e duke na krijuar mundësitë të shikojmë përpara drejt një ardhmërie më të mirë. Edhe një herë Papa vuri theksin mbi vlerën e takimit ekumenik e të atij ndërfetar, gjatë të cilëve u ndje fort fryma vëllazërore dhe dëshira e thellë për më shumë bashkëpunim në impenjimin për ndërtimin e një bote më të drejtë e më paqësore:
World Youth Day has shown us…
“Dita Botërore e Rinisë – tha në përfundim Papa – tregoi se Kisha mund të krenohet me të rinjtë e sotëm e të jetë plot shpresë për botën e nesërme.
Nga ana e tij, kryeministri australian, Kevin Rad, e falënderoi Atin e Shenjtë për mesazhin e shpresës, të fesë e të arsyes, që i përcolli mbarë popullit australian. Gjatë kësaj jave, të kaluar mes miqsh - tha Rad – e ndjemë se ju, Shenjtëri, jeni një nga ne. Gjatë fjalimit, kryeministri dha edhe njoftimin për selinë e re të ambasadorit të Australisë pranë Selisë së Shenjtë në Romë".

 
Para lamturmirës në aeroport, Papa u takua me vullnetarët e DBR-së në Doumein (Domain), parku më i madh publik i Sidneit. Ishte një takim festiv. Mijëra të rinj e pritën Atin e Shenjtë me entuziazëm, duke e ndërprerë disa herë me duartrokitje të stuhishme. Gjatë përshëndetjes së tij, kardinali Pel pohoi se në DBR-së “Kisha duket ashtu siç është në të vërtetë: plot me energji të zjarrtë ungjillore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.