2008-07-20 15:41:31

Papa në Meshën përfundimtare të DBR-së: “Hapjani zemrat forcës së Shpirtit Shenjt, për t’i çuar botës Krishtin”.


(20.07.2007 RV)RealAudioMP3 Hapjani zemrën forcës së Shpirtit Shenjt, për t’ia çuar botës Krishtin! Kjo është thirrja që u drejtoi sot Papa të rinjve, të mbledhur në Hipodromin e Rënduikut për Meshën përfundimtare të DBR-së në Sidnei. Benedikti XVI i ftoi të rinjtë të kenë guximin për t’i thënë ‘po’ Krishtit. Dashuria e Hyjit – theksoi – mund ta ndikojë forcën e vet, vetëm kur i premtojmë të ndryshojmë në thellësi të shpirtit. Nga Rënduiku – i dërguari i Radios sonë Roberto Piermarini:

 
"235 mijë të rinjtë, që e kaluan gjithë natën në Rënduik e përshëndetën me entuziazëm Papën, që arriti me helikopter e pastaj kaloi ndërmjet radhëve të tyre me papamobil. Në elterin e kuq u ngjitën 500 kardinaj, ipeshkvij e meshtarë bashkëkremtues. Meshën e shoqëroi një kor me 300 zëra e 80 instrumente muzikore. Në fillim të Meshës, kardinali Pel i falënderoi të gjithë ata, që dhanë kontributin e tyre për suksesin e kësaj DBR-së e sidomos të rinjtë që, pa marrë parasysh asnjë flijim, erdhën këtu nga vende të largëta. Ju – nënvizoi kardinali – e nderuat Australinë me praninë tuaj e me entuziazmin tuaj.
Gjatë Meshës Ungjilli u soll me valle nga një grup seminaristësh të Figjit, veshur me kostume tipike tradicionale. Pastaj 24 të rinj nga mbarë bota morën Sakramentin e Krezmimit.
The Lord is asking you…
Zoti kërkon nga ju të jeni profetë të epokës së re, lajmëtarë të dashurisë së tij, të aftë për t’i tërhequr njerëzit drejt Atit e për të ndërtuar një ardhmëri plot shpresë për mbarë njerëzimin – u tha të rinjve Papa, duke rivënë në qendër të homelisë temën e Shpirtit Shenjt, që na bën dëshmitarët e tij. Forca e Shpirtit Shenjt është forcë e jetës së Hyjit – vijoi Benedikti XVI – është fuqi e atij Shpirti, që e ngjalli Jezusin nga të vdekurit. Është forca që na prin ne e i prin edhe botës sonë drejt mbretërisë së Hyjit. Por hiri i Shpirtit Shenjt – kujtoi Papa – nuk është diçka që mund ta meritojmë, ose ta fitojmë; mund ta marrim vetëm si dhuratë. E kjo dhuratë, të cilën duhet ta kërkojmë me lutje, është e vetmja që mund të fitojë mbi indiferencën tonë, mbi lodhjen tonë, mbi prirjen për t’iu përshtatur kohës sonë. Benedikti XVI u drejtoi të rinjve pyetjet: ‘Ç’do t’u lini trashëgim breznive të ardhshme?’ e ‘A ia krijoni hapësirën e duhur Shpirtit Shenjt, në mes të një bote që do ta harrojë Zotin ose ta flakë, në emër të konceptit të një lirie të rreme?’.
E përforcuar nga Shpirti Shenjt, breznia e re e të krishterëve është e thirrur të kontribuojë për ndërtimin një bote, në të cilën jeta mirëpritet, përkujdeset me dashuri, pranohet, nuk shikohet si kërcënim e, prej këndej, nuk shkatërrohet – theksoi me forcë Benedikti XVI - që në vijim pikturoi botën e re, në të cilën dashuria nuk është e pangopur dhe egoiste, por e pastër, besnike dhe e lirë, plot respekt për dinjitetin e tjetrit, dashuri që të shtyn drejt së mirës e që rrezaton gëzim e bukuri. Në këtë epokë të re, shpresa do të na çlirojë nga cektësia, nga amullia e nga mbyllja në vetvete, që i lëndojnë shpirtrat tonë e i vrerosin marrëdhëniet njerëzore. Kisha ka nevojë për këtë përtritje – theksoi Ati i Shenjtë. - Kisha ka nevojë për gjithë të rinjtë. Ka nevojë të rritet në forcën e Shpirtit Shenjt, që edhe sot ju jep gëzim e ju frymëzon t’i shërbeni plot hare Zotit. Të jesh i vulosur me Shpirtin Shenjt, do të thotë të mos kesh frikë ta mbrosh Krishtin, duke e lënë dritën e Ungjillit të na e ndriçojë mënyrën si shohim, si mendojmë e si veprojmë, ndërsa punojmë për fitoren e qytetërimit të dashurisë.
May this Twenty-third World Youth Day……
Uroj që Ditën e 23-të Botërore të Rinisë – tha në përfundim Papa – ta keni jetuar si një Çenakull i ri, kështu që të gjithë ne, të përflakur nga zjarri i Shpirtit Shenjt, t’ia kumtojmë Zotin të gjithëve, duke tërhequr çdo zemër drejt Tij".

 
 







All the contents on this site are copyrighted ©.