2008-07-20 15:42:28

Ndërmjet dhjetë pajtorëve të DBR-së 2008, është edhe e Lumja Nëna jonë Terezë.


(20.07.2008 RV)Sipas traditës së DBR-së, si pajtorë zyrtarë të kësaj dite, u caktuan dhjetë shenjtorë, që me shembullin e tyre t’i frymëzojnë të rinjtë për të ecur në rrugën e Shenjtërisë e sidomos, për të kuptuar sesi, për virtyt të Shpirtit Shenjt, njerëz fare të thjeshtë e të zakonshëm, mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme.
Pajtorët janë:

Zoja e Kryqit të Jugut, Ndihma e të krishterëve, shembull i përkryer për të gjitha gratë, Pajtore e Kryedioezës së Sidneit. Titulli “Zoja e Kryqit të Jugut” nënvizon devocionin që kanë për të katolikët e Australisë e të Oqeanisë.

I Lumi Pier Gjorgjo Frasati (1901-1925)
Bir i një familjeje diplomatësh, u bë shërbëtor i njerëzve të mjerë e të sëmurë, që u çuditën pa masë, kur morën vesh prej nga vinte, për të hyrë në mjerimin e tyre. Vdiq nga poliomieliti në moshën 24 vjeçare.

E lumja Meri Mëklop (1842-1909)
E Lumja Meri Mëklop, themeluese e famshme e Urdhërit rregulltar të Motrave të Shën Jozefit, është e lumja e parë australiane, shpallur nga Gjon Pali II gjatë shtegtimit të tij të dytë e të fundit, në Australi. Australianët kanë shumë devocion për këtë figurë të bukur, jashtëzakonisht aktive në veprimtaritë e bamirësisë, që u shqua për impenjimin në ndihmë të të varfërve e të shtypurve, në gjirin e shoqërisë e të Kishës.

Shën Pjetër Shanel (1803-1841)
Prift misionar francez, i martirizuar në ishullin Valis Futuna. Trupi i tij, që u mbart në Francë duke kaluar nëpër Zelandën e Re e Australi, u ekspozua për t’u nderuar nga besimtarët për dy javë në Vila Maria të Sidneit.

I Lumi Pietro To Rot (1912-1945)
Laik i lindur në Papua Guinea e Re. Katekist i shkëlqyer, u torturua dhe u mbyt nga urrejtja kundër Krishtit, në një kamp përqendrimi japonez.

E Lumja Nënë Tereza e Kalkutës (1910-1997)
Fytyra femërore e Kishës moderne katolike. Në shërbim të të fundmëve të shoqërisë, e varfër ndërmjet të varfërve, Nënë Tereza u bë shembull i dashurisë në veprim.

Shën Tereza e Krishtit Fëmijë (1873-1897)
Rregulltare karmelitane. Jetoi vetëm 24 vjet. Është dijetarja më e re e Kishës dhe Pajtore e Australisë, që i fton të gjithë të kenë besim të plotë në Zotin e të bëjnë qoftë edhe një gjest të vogël dashurie!

Shën Maria Goreti (1890-1902)
E re italiane, e cila për të mbrojtur pastërtinë nga kërcënimet e një të riu, mik i familjes, pranoi më mirë të mbytej, sesa të njollosej prej tij. I kthyer, falë ndërmjetësimit të vashës, vrasësi do të ishte e pranishëm në kremtimin e lumnimit të Marisë.

Shën Faustina Kovalska (1920-2005)
Lindur e rritur në Poloni, Faustina ndoqi rrugën rregulltare që në moshë fare të re. Punoi në kuvend si kuzhiniere, kopshtare e portiere, por kjo nuk e pengoi të shkruante ditarin e saj, titulluar “Mëshira Hyjnore në Shpirtin tim”, veprën klasike e përshpirtërisë moderne.

Shërbëtori i Zotit, Gjon Pali II (1920-2005)
Vizitoi Australinë në vitin 1986 e 1995. Vijon të jetë edhe sot burim frymëzimi për gjithë të rinjtë, që marrin pjesë në DBR-së, të cilët e ndjejnë fort praninë e Papës shtegtar e kërkojnë ndërmjetësimin e tij në jetën e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.