2008-07-19 16:48:09

Marzhori Lidi, autore e vizatimit aborigjen, simbol i DBR-së 2008.


(19.07.2008 RV)Aborigjenia Marzhori Lidi, gruaja këmbëzbathur, me një bluzë ku është stampuar Virgjëra Mari, nga ishujt e humbur Tivi, në veri të Kontinentit australian, ishte zyrtarisht një nga personalitetet e DBR-së që i shtrëngoi dorën Papës ditën e enjte, gjatë festës së Barangarusë.
E edukuar nga murgeshat katolike në ishullin e Melvilit, Lidi, nënë e 12 fëmijëve, që nuk ka pikturuar kurrë në jetën e saj, skicoi me teknikën aborigene pika-pika, zogun që pa në një vegim nate. I ngjet një pëllumbi me aureolë të artë rreth kokës. Sipas ipeshkvijve australianë, zogu i skicuar i afrohet shumë simbolit, me të cilin Kisha paraqet Shpirtin Shenjt.
Legjenda e zogut të Marzhorisë u bë e njohur në të gjithë Kishën australiane, e cila e zgjodhi si figurë kryesore të DBR-së. Kardinajtë e ipeshkvijtë e mbarë botës e kanë këtë figurë në shpinë të petkave të meshës, ngjyrë dheu të djegur, e Papa do ta kremtojë Meshën pikërisht nën krahët e hapur të zogut, vendosur mbi elterin e ngritur në Rënduik për kremtimin e madh solemn me rininë e botës.
Marzhori, që jeton në ishullin e veshur me pyje eukalipti, tri orë larg nga pista më e afërt ajrore, ndjehet tejet e emocionuar për shkak të vëmendjes që iu kushtua zogut, të cilin ajo e pa mbi qiellin e ishullit, katër vjet më parë, gjatës stinës së thatë. Gruaja tregon se e ndjeu fuqimisht në shpirt praninë e Zotit, pas një dite të kaluar në detin e Timorit, ku kishte shkuar për të peshkuar, së bashku me një nga të bijtë. Nën dritën e hënës së plotë, ndërmjet 21 e 30 gushtit 2004, Lidi vërejti se i biri s’i shkëpuste sytë nga qielli. Duke ndjekur vështrimin e tij, ajo pa një zog të madh, që dukej si i ravijëzuar me pika-pika në kupën qiellore. Kishte një kurorë të artë rreth kokës. Krahët e tij preknin horizontin nga një skaj në tjetrin. Mbulonin, kështu gjithë qiellin. E mbushur me ngazëllim, Lidi nisi të vallëzonte e të këndonte një him katolik të Tivit.
Gruaja e tregoi vegimin e vegimi u bë simbol i një ngjarjeje të madhe: DBR-së 2008.
Drejtori i Kishës katolike australiane për ungjillëzimin, Stive Lorens, saktëson se Vatikani nuk e pranon zyrtarisht këtë vegim, por Papa është i kënaqur që zogu i Marzhorisë do të zbukurojë paramentet e autoriteteve të larta kishtare, të cilat do të bashkëkremtojnë me Atin e Shenjtë Meshën solemne përfundimtare të DBR-së 2008.







All the contents on this site are copyrighted ©.