2008-07-19 16:47:43

Benedikti XVI të rinjve gjatë Natës së lutjes së DBR-së: “Besoni në fuqinë e Shpirtit Shenjt për ta shndërruar botën”.


(19.07.2007 RV) RealAudioMP3 Ndërsa Benedikti XVI përfundonte Meshën, mijëra të rinj, që valavitnin flamujtë e vendeve të tyre, përshkonin në këmbë kilometra e kilometra, për të arritur në Hipodromin e Rënduikut, në portat e metropolit, ku morën pjesë në Natën e Lutjes me Papën, çast kulmor i kësaj DBR-së. 250 mijë të rinj, 125 nga të cilët të ardhur nga 170 vende të botës, dëgjuan fjalën e Benediktit XVI në hipodromin e Rënduikut, prej nga u drejtoi ftesën: “Pranojeni Shpirtin Shenjt e besoni në fuqinë e Tij mbi jetën tuaj, në se doni ta shndërroni botën!”.
Benedikti XVI bëri një katekizëm të fuqishëm, kushtuar ‘Vetjes së harruar të të Shenjtnueshmes Trini’ – siç u shpreh ai vetë. Por, ndonëse i harruar, i padukshëm e i vështirë për t’u njohur, është gjithnjë Shpirti Shenjt “autor i veprave të Hyjit”. Papa kujtoi edhe se Shpirti Shenjt realizon unitetin në dashuri, kundër çdo tundimi që çon në përçarje e kundër utopive shpirtërore, që duan të ndërtojnë bashkësi të përkryera, duke kapërcyer ligështitë e dështimet njerëzore. Por, për natën e lutjes të shkojmë simbolikisht në Rënduik, prej nga na flet i dërguari i Radios sonë, Roberto Piermarini:

 
"Hipodromi vigan i Rënduikut - si një Çenakull i ri. Shpirti i Rrëshajëve zbriti sonte mbi 200 mijë të rinjtë e ardhur në Sidnei nga të katër anët e botës për DBR-së. Duartrokitjet e stuhishme, koret e ritmuara e valavitjet e vijueshme të flamujve ngjyra-ngjyra përshëndetën arritjen e Papës, shoqëruar nga 12 shtegtarë, në tribunën e kuqe, mbi të cilën lartohej një kryq i ndritshëm dhe ‘Zogu i Marzhorisë’, simbol i Shpirtit Shenjt, pikturuar nga një aborigjene. Me Himnin e DBR-së, kënduar nga një kor prej 300 këngëtarësh në të gjitha gjuhët, hyrja e Papës u parapri nga simbolet e Ditës: Kryqi dhe ikona e Zojës së Bekuar. Kur një vajzë aborigjene ndezi qiriun e Pashkëve, simbol i Krishtit dhe i Shpirtit Shenjt, 12 të rinj ua kaluan flakën më të afërmve e, papritmas, sheshi vigan u shndërrua në një qiell plot yje. Pastaj 7 të rinj iu lutën Shpirtit Shenjt, me ndërmjetësi të Pajtorëve të DBR-së, ndërmjet të cilëve është edhe e Lumja Nëna jonë Terezë:
In accepting the power...
Duke e pranuar pushtetin e Shpirtit Shenjt mund t’i shndërroni familjet tuaja, bashkësitë, kombet. Veproni në mënyrë të tillë, që dhuratat e dijes, të intelektit, të forcës, të shkencës e të mëshirës, të jenë shenjat dalluese të madhështisë suaj. Kjo ishte porosia e Papës, fjalimi i të cilit qe një himn i vërtetë, kushtuar Shpirtit Shenjt, të cilin duhet ta njohim – tha ai – në se duam të bëhemi dëshmitarët e Tij. Benedikti XVI pohoi se në një botë të copëzuar, që ka nevojë për paqe e harmoni, nuk mund ta realizojmë bashkimin e pajtimin me forcat tona, por vetëm me ndihmën e Zotit e në bashkim me Kishën. Kush do t’ju shtyjë t’i ndihmoni miqtë, që kalojnë një jetë pa kuptim? – pyeti Papa dhe vijoi: - Që nga fëmija i braktisur në një kamp të Darfurit, tek një adoleshent i trazuar, një prind në ankth në ndonjë nga periferitë, ngrihet një britmë e fuqishme që kërkon bashkim! Kush do t’ju prijë në udhën e së vërtetës, për të dhënë dëshminë tuaj? Shpirti Shenjt, që përmbush veprën e Krishtit. Kush e kërkon plotësimin e dëshirave larg Zotit – ikën nga vetvetja. Hyji është në ne në realitetin e jetës, jo në fantazi. Realitei duhet përballuar, nuk duhet braktisur. E Shpirti Shenjt do të na marrë përdore për të na prirë në rrugën e vërtetë e reale, që të çon në bashkim me të Shenjtnueshmen Trini: unitet si bashkimi ku Ati e Biri i dhurohen njëri-tjetrit, unitet si dashuria, që s’mbaron; unitet si dhuratë ku Shpirti Shenjt është Hyj që dhurohet në amshim:
It is the Holy Spirit who brings……
Është Shpirti Shenjt ai, që realizon bashkimin e mrekullueshëm të besimtarëve në Krishtin. Besnik ndaj natyrës së tij si dhurues, e njëkohësisht si dhuratë, ai vepron sot përmes jush, të rinj. Të frymëzuar nga Shën Agostini, bëni që masa juaj të jetë dashuria që bashkon; dashuria që i bën ballë kohës të jetë sfida juaj e dashuria që dhurohet, misioni juaj. Kisha – vijoi Ati i Shenjtë – duhet të rritet në unitet, duhet të forcohet në shenjtëri, të rinohet e të rinojë, për virtyt të Shpirtit Shenjt”.

 
Fjalimin e Papës e pasuan çaste përqëndrimi në lutje e adhurimi të të Shenjtnueshmit Sakrament.
Takimi me Papën përfundoi e Ati i Shenjtë u rikthye në selinë e tij të kryeipeshkvisë, por të rinjtë janë rishtas atje, duke adhuruar Sakramentin, duke u lutur e duke heshtur. Do të rrinë gjithë natën nën yjet e do të presin ditën e nesërme për të marrë pjesë në Meshën përfundimtare të DBR-së së Sidneit.







All the contents on this site are copyrighted ©.