2008-07-18 16:27:42

Takimi i Atit të Shenjtë me një grup të rinjsh të bashkësisë së riedukimit, pranë Universitetit të Shën Marisë në Sidnei.


(18.07.2008 RV)Pas drekës, Papa u takua me të rinjtë e një bashkësie riedukimi, pranë Universitetit të Shën Marisë. Njeriu – u tha Papa të rinjve, që përpiqen të rikthehen në radhët e shoqërisë, duke hequr dorë nga veset shkatrrimtare - është krijuar për jetën, por kur ndjek idhujt e botës, si të mirat materiale, dashurinë e parë si pronë personale e dëshirën për pushtet, gjen vdekjen, humbet plotësisht kuptimin e jetës. Bëhet si i babëzitur, nuk mendon më për të varfërit, sillet si pronar edhe në sferën seksuale, kërkon të sundojë mbi të tjerët e mbi ambientin që e rrethon. Duke rikujtuar shembëlltyrën ungjillore të Djalit plangprishës, Papa i nxiti gjithë të pranishmit, që përpiqen të dalin nga tuneli i drogës, i alkoolit dhe i veprimtarive kriminale vetdëmtuese, të jenë dëshmitarë për ata që po e humbasin jetën e tyre e t’u tregojnë se Jezusi e Ati i Gjithëpushtetshëm i presin me krahë hapur, u ofrojnë dashurinë e tyre të pakushtëzuar.
Të rinjve të plagosur nga jeta, ish të droguar e ish-alkolistë, por edhe viktima të shpërdorimeve seksuale, Papa u kërkoi të bëhen ambasadorë të shpresës në gjirin e shokëve, që ndodhen në situata të ngjashme e t’i bindin për t’u larguar nga rruga e vdekjes e për të dalë në dritën e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.