2008-07-18 16:28:28

Fryma fetare ndihmon për t’i zgjidhur konfliktet me mjete paqësore: koment i Atë Lombardit.


(18.07.2008 RV)Sot paradite, me orën australiane, Benedikti XVI u takua me 40 përfaqësues të bashkësive fetare, të pranishme në Australi. Takimi u mbajt në sallën kapitullare të katedrales së Shën Marisë të Sidneit. Në emër të të pranishëmve, Papën e përshëndetën kardinali Gjorgj Pel, kryeipeshkëv i Sidneit, rabini Zheremi Lorenc, përfaqësues i bashkësisë hebraike dhe shehu Saleem, i bashkësisë myslimane.
Takimet e rëndësishme ekumenike e ndërfetare të Benediktit XVI para Udhës së Kryqit, i komenton për ne, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit dhe i Radios sonë, Atë Federiko Lombardi:

“Atmosfera e takimeve, (si e atij ekumenik, ashtu edhe e takimit me përfaqësuesit e feve të tjera), ishte e qetë. Fjalimet, që u mbajtën nga përfaqësuesit e feve: ipeshkvi i Sidnei, rabini dhe shehu mysliman, qenë shumë të mira. Vunë në dukje përvojën pozitive të DBR-së. Duket qartë se pamja e një rinie entusiaste, që dëshiron të impenjohet në botën e sotme, duke pasur një përmasë të thellë shpirtërore, është diçka që edhe konfesionet e tjera e fetë e tjera e vlerësojnë shumë, është një fakt frymëzues, që u jep zemër. Kemi të bëjmë me dëshmi të gjallërisë së shpirit, të përmasave themelore shpirtërore, që bien në sy, posaçërisht në një shoqëri të shekullarizuar, në të cilën të gjithë njerëzit e ndjejnë veten të sfiduar nga evolucioni shekullaristik e materialistik, i cili vijon në shumë shoqëri. Prandaj një ngjarje e madhe si kjo, shikohet pozitivish nga të gjithë".







All the contents on this site are copyrighted ©.