Çështja e autoritetit drejtues, ndërmjet temave në qendër të Konferencës anglikane
të Lambet
(U hap dje në Kanterbëri të Anglisë, Konferenca e Lambet, takim dhjetvjeçar
i ipeshkvijve anglikanë të botës. Ndërmjet temave në qendër të takimit të rëndësishëm,
është edhe çështja e autoritetit drejtues, lidhur ngushtë me forcimin e marrëdhënieve
me kishat e tjera të Bashkimit anglikan. Çështja e një autoriteti po ndjehet gjithnjë
më fort ndërmjet anglikanëve, për shkak të thellimit të debatit mbi probleme të vështira,
siç ishte votimi në Sinodin e përgjithshëm të Kishës së Anglisë, që i hapi rrugën
shugurimit ipeshkvnor të grave. Vendimi në fjalë, shkaktoi shqetësimin e Këshillit
Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve dhe shumë polemika brenda vetë botës
anglikane. E kjo, sepse, siç na shpjegon kryeipeshkvi i Kantërbërit, Rovan Uiljams,
Bashkimi anglikan ka një organizim të veçantë:
Përgjigje: - At the heart
of the whole… Në zemër të Bashkimit anglikan është marrëdhënia ndërmjet
nesh. Ne nuk kemi qenë kurrë një trup i lidhur së bashku përmes rregullave të sakta,
gjë që shpesh, si në këtë çast, bëhet shkak shqetësimi e pështjellimi në jetën e bashkimit
tonë. Nuk e kemi ndër mend të krijojmë, në Konferencën e Lambet, shumë rregulla të
reja, por natyrisht, kemi nevojë t’i forcojmë lidhjet tona. E në këtë perspektivë,
po diskutojmë së bashku propozimin mbi atë që e quajtëm aleancë ndërmjet kishave anglikane
të botës, në mënyrë që, kur ka probleme, t’i zgjidhim së bashku, të vendosim e të
gjykojmë së bashku”.
Nga 28 korriku, deri më 3 gusht,
do t’i ndjekë punimet e Konferencës edhe kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit
Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, që i uroi anglikanët për këtë takim
kaq të rëndësishëm.