2008-07-17 17:47:57

Nga konferenca e shtypit e Atë Federiko Lombardit


(17.07.2008 RV)Pas takimit me të rinjtë, Benedikti XVI shkoi në Kapelën e së Lumes Meri Mëklop, ku u gjunjëzua në lutje, para se të bisedonte privatisht me governatorin Xhefri e kryeminsitrin Rad, çaste për të cilat na flet, nga Sidnei, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit e i Radios sonë, Atë Federiko Lombardi:

“E Lumja Meri Mëklop, themeluese e famshme e Urdhërit rregulltar të Motrave të Shën Jozefit, është e lumja e parë australiane, shpallur nga Gjon Pali II gjatë shtegtimit të tij të dytë e të fundit këtu, në Australi. Australianët kanë shumë devocion për këtë figurë të bukur, jashtëzakonisht aktive në veprimtaritë e bamirësisë, që u shqua për impenjimin në ndihmë të të varfërve e të shtypurve, në gjirin e shoqërisë e të Kishës.
E pastaj Papa shkoi t’i bëjë një vizitë mirësjelljeje autoriteteve, të cilat i uruan të parët mirëseardhjen. Shkoi t’i takojë në një shtëpi tjetër të rëndësishme, në Admiraltì Hauz e atje, me disa nga bashkëpunëtorët e tij, bisedoi privatisht me governatorin e me kryeministrin.
Në bisedimin me governatorin, në qëndër të vëmendjes ishte problemi i ambientit, i thatësirës, i ushqimit, i ujit dhe i energjisë. Papa vërejti se, që njerëzimi të ecë në rrugë të mbarë, ka nevojë, mbi të gjitha, për ‘energjinë e Shpirtit Shenjt’. Tema të tjera, që u prekën gjatë bisedimit, ishin edukimi i rinisë me vlerat morale, ndihma shpirtërore që u duhet dhënë studentëve dhe dialogu ndërfetar. Papa i dhuroi governatorit një mozaik të Sheshit të Shën Pjetrit, ndërsa mori si dhuratë, një kuti të çmuar për ruajten e dokumenteve.
Në takimin me kryeministrin, në qendër të vëmendjes ishte tema e dialogut ndërfetar. Kryeministri u ndal posaçërisht tek figura e teologut Bonhëfër e tek ajo e Shën Maksimilian Kolbes të cilët, me sa u duk, i njihte mirë. U fol për dialogun në zonë, por edhe për takimet e organizuara nga qeveria e Kanberrës me presidentin indonezian. Papa falënderoi Australinë për mbrojtjen e paqes në botë, për ndihmën që dha në përgatitjen e DBRS-ë dhe i dhuroi kryeministrit një stampë të Qytetit të Vatikanit. Mikpritja e qytetit ishte shumë pozitive. Dy anët e rrugëve ku kalon Papa ishin gjithnjë plot me njerëz në festë, prandaj mund të themi se udhëtimi filloi si s’ka më mirë!







All the contents on this site are copyrighted ©.