2008-07-17 17:48:17

Nga Barangaru, emocionet e takimit me Papën.


(17.07.2008 RV)Në orën 14. 45 me orën vendase, 06, 45, me atë evropiane, Papa u nis nga skela Rouz Bei, për të arritur në atë të Barangarusë, ku u prit nga pleqtë e aborigjenëve me një valle karakteristike, jo si kolonizator, por si mik e si atë shpirtëror. Papa u prit edhe nga një prej autoriteteve aborigene të zonës së Gadigalit. Mbi anijen ‘Sidnei 2008’ ishin 16 të rinj: 12 nga katër kontinete, 4 nga Australia: një aborigjen, një ushtar i flotës detare, një emigrant vietnamez dhe një përfaqësues i ungjillëzimit të parë në Australi. Ata i folën Papës për vendet që po përshkonte anija, për historinë e këtyre viseve, për historinë e emigracionit, që filloi me zbarkimin e të burgosurve nga Evropa e vijoi me keqtrajtimin e banorëve vendas, aborigjenëve, nga ish-galeotët, që u bënë zotërinj të rinj të këtyre trojeve pa fund.
12 varka të tjera, me 1900 shtegtarë, i bënë kurorë anijes, me të cilën lundronte Papa. Sapo zbarkoi, Benedikti XVI u prit nga tre pleq aborigjenë. Më pas, nga të katër anët jehuan tingujt rinorë të këngës “Tu es Petrus” – ‘Ti je Pjetri”, që u këndua edhe në gjuhën galidal.
U kënduan edhe këngë të tjera karakteristike të Australisë e të Oqeanisë. Shumë prekës procesioni me Ungjillin e vendosur mbi modelin e një kanoe, të cilën na e përshkroi më sipër edhe i dërguari i Radios sonë, Piermarini. Dy kore, një me fëmijë vendas 9-14 vjeçarë, ardhur nga viset veriore, e një tjetër, me famë në gjithë Australinë, gjithnjë me fëmijë, kënduan për nder të Papës, duke krijuar një atmosferë vërtetë të freskët rinore.
Vijim:
Në Sidnei ishte ora 17. 30, kur Papa arriti në selinë e kryeipeshkvisë, ku darkoi e u të çlodh për nesër, kur DBR-ja do të arrijë kulmin, me një mori veprimtarish.
Paraditja do të nisë me audiencat private të autoriteteve të Sauth Ueils të Sidneit. Më pas, në kriptën e Katedrales së Shën Marisë të Sidneit, Papa do të marrë pjesë në takimin ekumenik, për t’u takuar, në vijim, me përfaqësuesit e feve të tjera. Gjithnjë më 18 korrik, një grup të rinjsh do të ftohet për të drekuar me Papën.
Pasdite të rinjtë e Sidneit do të kremtojnë Udhën e Kryqit. Në përfundim të kësaj dite, Papa do të bisedojë me një grup të rinjsh, që riedukohen në bashkësinë e Universitetit të Zojës së Bekuar.
Të shtunën, më 19 korrik, dita do të nisë me Meshën Shenjte në katedralen e Shën Marisë së Sidneit, kremtuar së bashku me ipeshkvijtë australianë, me seminaristët e me novicët. Këtu Ati i Shenjtë do të shugurojë elterin e ri e, në përfundim të Meshës, do të drekojë së bashku me ipeshkvijtë. Më pas, nata e madhe, e pagjumë, e lutjes me të rinjtë, në hipodromin e Rënduikut!







All the contents on this site are copyrighted ©.