2008-07-17 17:49:13

DBR: Katedralja e Shën Marisë, cak shtegtimesh; historia e saj pasqyron atë të katolikëve të Australisë.


(17.07.2008 RV)Katedralja e Shën Marisë, në qendrën historike të Sidneit, Kishë-nënë e të gjithë katolikëve australianë, kushtuar ‘Zojës Ndihmëtare’, Pajtore e Australisë, është caku kryesor i shtegtimeve të kësaj Dite Botërore të Rinisë. Të premten e ardhshme, Benedikti XVI do të kremtojë këtu fillimin e Udhës së Kryqit, në këmbë, mbi shkallaren e Kishës, që shkëlqen nga bukuria.
Katedralja nisi t’i tërheqë edhe më shumë besimtarët, që kur këtu u vendos shtatorja prej bronzi e Gjon Palit II, shpikësit të DBR-së, vepër e skulptorit Fiorenco Baçi nga Pordenone, dhuruar Kishës nga bashkësia e italianëve të Sidneit. Në skulpturë, Papa paraqitet i zbathur, si Shën Françesku, shenjti i paqes e i të mirave.
Shembull elegant i gotikut revival, me fasadën e frymëzuar nga Katedralja e Shën Marisë së Parisit, e pasur me harqe e me vetrazhe të mrekullueshme, që krijojnë atmosferë thellësisht mistike, me dy kulla majëmprehta e një kriptë, Shën Maria është katedralja më e madhe e krishterë dhe ndërtesa më e madhe ndërtuar me gurë ranorë me reflekse të praruara, gurë me të cilët u ndërtua edhe Sidnei. E gjatë 107 metra, me navatën 24, 3 metra të gjërë, me majat e mprehta të dy kullave, që lartohen mbi të, ndërtesa gotike arrin në lartësinë 75 metra.
Historia e Katedrales pasqyron vetë historinë e katolikëve në këtë vend, ku sot përbëjnë 27% të popullsisë, përballë 18, 7% të anglikanëve. Por duhet të kujtojmë se kur kolonia u themelua nga anglezët, ishin vetëm një pakicë, e shtypur dhe diskriminuar nga irlandezët, të cilët i ndalonin rreptësisht ta praktikonin publikisht fenë e tyre. Ipeshkvi i parë katolik arriti në Sidnei në vitin 1835 e kapela e vogël e Shën Marisë, që ngrihej në të njëjtin vend, dalëngadalë u zgjërua, u lartua e u bë katedrale.
E rrënuar plotësisht nga një zjarr i rënë në vitin 1865, u rindërtua pjesërisht gjatë 20 vjetëve që pasuan, ndërsa seksioni verior, ende i pakryer, u rihap më 1882. Katedralja u bë gati për shugurim vetëm në vitin 1905, ndërsa navata qëndrore u krye në vitin 1928. Me të katedralja, tashmë e rindërtuar plotësisht, fitoi një shkëlqim të ri,
Në vitin 1930 Papa Piu XI i dha titullin e Bazilikës Minore. Vetëm në vitin 2000, me rastin e Jubileut e në përkim me Olimpiadën, u kryen së ndërtuari edhe dy majat e mprehta mbi dy kullat ballore të kësaj katedraleje, ku kanë kremtuar Meshën Shenjte Papa Pali VI (1970) e Papa Gjon Pali II (1986 e 1995). Nesër këtu do të jetë Benedikti XVI.Katedralja e Zojës Ndihmëtare, që zë 3 mijë vetë, është zemër e DBR-së 2008.








All the contents on this site are copyrighted ©.