365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Pjetër Klaver: prania e
Zotit pranë skllevërve".
(17.07.2008 RV)Mbi skelën e portit
të Kartagjenës, qytet i Kolumbisë së sotme, një meshtar pret anijen që duhet të vijë
nga Afrika e largët, nga ana tjetër e Oqeanit Atlantik. Atë Pjetër Klaveri e shkëput
për një çast vështrimin nga horizonti, për të soditur portin, ku një mori anijesh
ngarkojnë e shkarkojnë pasuri të mëdha: pëlhura të kushtueshme, ar, erëza e kakao:
të gjitha këto ngarkesa janë burim i pashterrshëm parash. Pjetri psherëtin e i
dridhet zemra, në sa vijon të presë me padurim anijen. Edhe ajo mbart një mall që
kushton shumë, për fat të keq… Hambari i anijes është përplot me burra, gra e fëmijë,
të flakur aty si kafshët. Mbarten nga Afrika, për t’u shitur në Amerikë. Pjetri rri
aty e pret, sa herë merr vesh se do të vijë një anije me mall të tillë. Kur hyri ndër
Jezuitë, e dinte tashmë se ç’do të bënte me jetën e vet: i kishte premtuar Zotit të
bëhej skllav i skllevërve. Jemi në fillimet e shekullit XVII e as të krishterët më
vullnetmirë nuk ia dalin dot t’i japin fund skllavërisë. Mbretëresha e Spanjës dhe
Papa e ndaluan kthimin e indianëve të Amerikës në skllevër… por si rezultat, tregtarët
e skllevërve ndërruan vend. U nisën për t’i kërkuar skëllevërit në Afrikë. E vetmja
gjë që mund të bëhet tani për tani, është të ndihmohen këta njerëz kaq të pafat. Pas
pak, kur anija e ngarkuar me zezakë ankorohet, Pjetër Klaveri ngjitet në bord. Zbret
në hambar, ku takon njerëz të tmerruar, me sëmundje ngjitëse, e nuhat një erë të
tmerrshme kufome: gjysma e skllevërve kanë vdekur gjatë shtegtimit. Pjetri shkon t’u
çojë të gjallëve një fjalë ngushëllimi. Për ta është hera e parë që një i bardhë i
trajton si njerëz. Pastaj i mjekon, para se të shiten... Me ndihmën e disa zezakëve,
që flasin gjuhët e ndryshme të Afrikës (ai di vetëm frëgjishten) i ushqen e i shëron.
U flet për Krishtin, që erdhi të shpëtojë botën. U tregon se para syve të Zotit nuk
as skllav, as zotëri, por të gjithë njerëzit janë njëlloj bij të Hyjit. Shumë nga
skllevërit bëhen të krishterë, kur mësojnë se Zoti e respekton dinjitetin e tyre si
njerëz. Për ndihmën që u dha qindra mijëra skellevërve, në shekullin XIX Kisha e shpalli
Pjetër Klaverin Shenjt dhe Pajtor të të gjithë njerëzve, që ua predikojnë Ungjillin
afrikanëve.