2008-07-16 16:48:20

Mbreti i Spanjës dhe i Arabisë Saudite hapin Konferencën ndërfetare të Madridit.


(16.07.2008 RV)Mbreti i Spanjës, Huan Karlos dhe ai i Arabisë Saudite, Abdallah bin Abdyl Aziz Al Saud, hapën sot në Madrid Konferencën ndërfetare, që do të vijojë deri më 18 korrik. Në fjalimin e tij, Huan Karlos uroi të ndërtohet ‘një botë, që i jep fund mizorive të papranueshme terroriste e që lufton kundër urisë, varfërisë, e sëmundjeve”.
Ndërsa monarku saudit, mbrojtës i viseve të shenjta myslimane të Mekës e të Medinës, me nxitjen e të cilit u mblodh ky takim i rëndësishëm, që pason takimin e mbajtur qershorin e kaluar, në Mekë, nga Lidhja Islamike Botërore, pohoi se “profetët janë si vëllezër, bij të nënave të ndryshme, por të një Zoti të vetëm. Madridi - vijoi monarku saudit – ka qenë gjithnjë pikë takimi ndërmjet qytetërimit islamik e botës evropiane, prandaj mund të shpresojmë se do të bëhet edhe djep i dialogut e i tolerancës së re”.Në takim merr pjesë edhe kardinali Zha Lyi Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar; sekretari i përgjithshëm i Kongresit Judaik botëror, Mikael Shnaider; kryetari i komitetit ndërfetar të Këshillit islamik të al Azharit në Egjipt, Ali Samman dhe 200 përfaqësues të fesë, intelektualë e organizatorë të dialogut ndërkulturor. Pjesëmarrësit nuk përfaqësojnë ideologi e as parti politike – saktësoi sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Islamike Botërore, Abdullah al Turki – janë këtu për të mbrojtur dialogun, si mjet për përmirësimin e ardhmërisë së njerëzimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.