2008-07-16 17:22:11

Ipeshkvjtë Anglikanë të mbarë botës mblidhen në Konferencën e Lambeth: intervistë e kardinalit Kasper.


(16.07.2008 RV)RealAudioMP3 Filloi sot në Kanterbëri të Anglisë, Konferenca e Lambeth, takim dhjetvjeçar i të gjithë ipeshkvijve anglikanë të botës. Ngjarja e madhe, që organizohet pak ditë pas pohimit të parë të Bashkimit Anglikan për shugurimin ipeshkvnor të grave, do t’i kushtohet temës: “T’i ndihmojmë ipeshkvijtë ta kryejnë shërbimin e tyre baritor në misionin e Hyjit”. Nga 28 korriku, deri më 3 gusht, do t’i ndjekë punimet e Konferencës edhe kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, që i uroi anglikanët për këtë takim kaq të rëndësishëm. Por, ta dëgjojmë vetë Hirësinë e Tij, Valter Kasper, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Urimi im është që të ruhet uniteti i Bashkimit anglikan, sepse askush nuk është i interesuar për përçarje të reja. Nga ana tjetër, urimi im i dytë është të vijojë dialogu, sepse dialogu ka rëndësi për gjithë botën e sotme. Kishat duhet të jenë të bashkuara, që të mund ta dëshmojnë Ungjillin e të punojnë së bashku për paqen e drejtësinë në botë. Këto janë dy urimet e mia. Gjithsesi nuk mund ta fsheh shqetësimin për zhvillimet e fundit në Bashkimin anglikan: kryesisht për pranimin e shugurimit meshtarak e ipeshkvnor të grave. Pastaj për problemet tjera etike, për homoseksualitetin... Këto nuk janë në qendër të Ungjillit, por janë çështje etike, të lidhura me antropologjinë e edhe me dëshmimin e Biblës. E gjithë kjo të shtyn të bësh pyetjen: si mund të merret seriozisht Besëlidhja e Re, që të flet qartë për bindjen ndaj urdhërimeve të Tënzot? Duhet të flasim për këto probleme e pastaj të reflektojmë së bashku si ta vijojmë dialogun. Ne jemi gati ta vijojmë, por tani qëllimi i dialogut, bashkimi i plotë, nuk është më realist. Prej këndej, dialogu do të ketë një karaketr të ndryshëm e duhet të shikojmë edhe se kush do të jenë partnerët tanë, cila do të jetë forma, që do të marrë Bashkimi anglikan pas Konferencës së Lambeth. Janë probleme shumë të rëndësishme, shumë shqetësuese, por, e përsëris, ne duam unitetin e Bashkimit anglikan; e duam edhe të vijojmë dialogun, e jo një dialog dosido, por një dialog sipas vullnetit të shprehur nga vetë Jezu Krishti natën para se të vdiste: “ut omnes unum sint”:“që të gjithë të jenë një gjë e vetme!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.