2008-07-15 17:23:38

U hap Dita Botërore e Rinisë në Sidnei: të enjten, takimi i të rinjve me Papën.


(15.07.2008 RV)Të rinjtë nga mbarë bota, mbledhur në Sidnei, sot morën pjesë në Meshën e hapjes së Ditës XXIII Botërore të Rinisë, kremtuar në molon Barangaru. Pikërisht në këtë vend të metropolit australian, të enjten pasdite Benedikti XVI do të takohet me të rinjtë, gjatë ‘Festës së mikpritjes’, që parashikohet të jetë ngjarje e paharrueshme jo vetëm për të rinjtë e DBR-së, por për gjithë qytetin e Sidneit. Në Meshën e madhe, që përfundoi disa orë më parë, kryesuar nga kardinali Gjorgj Pel, kryeipeshkëv i Sidneit, morën pjesë 140 mijë të rinj, të cilëve u uroi mirëseardhjen vetë kryeministri australian, Kevin Rud.
DBR-së, pra, ka filluar me gjithë entuziazmin rinor, siç na tregon, nga Sidnei, i dërguari i Radios sonë, Roberto Piermarini:

“Që sot Sidnei është kryeqytet i të rinjve. Për këtë rast, qyteti u dhuroi të rinjve një nga ditët më të bukura: një diell i vaktë derdhi rrezet e veta të arta mbi ujërat e gjirit të Sidneit, duke i dhënë një pamje mahnitësee. Pastaj, mbi molon e madhe të Barangaros, të mbrojtur nga rrokaqiejtë e qytetit. Kjo ishte skena e fillimit të ditës Botërore të Rinisë, që nisi me një shfaqje me këngë e valle, organizuar nga aborigjenët, vijoi me përshëndetjen e kryeministrit australian Rud e me Meshën e përurimit të DBR-së. Në këmbët e tribunës, mbi të cilën ngrihet një Kryq i kaltërt i ndritshëm, në sfondin e gjirit, ku lëkunden lehtë anijet, mijëra të rinj shpalosën flamujtë përfaqësues të 168 vendeve, (ndërmjet të cilëve, edhe flamuri kuq e zi i Shqipërisë). Valët e detit i përcollën qytetit vigan, jehonën e këngëve, të valleve e të gëzimit shpërthyes, që buron nga feja, shpresa, dashuria. Eukaristinë e kryesoi kryeipeshkvi i Sidneit, kardinali Pel i cili, gjatë homelisë, megjithëse i njeh mirë problemet aktuale, i ftoi të gjithë të mos e humbasin shpresën, sepse:  
“If we take God’s hand, He will do the rest…”
“Në se ia japim dorën Zotit, ai do të na prijë. Sekreti është besimi. Zoti nuk do të na zhgënjejë” – tha kardinali, i cili ua drejtonte këto fjalë të gjithë të rinjve, që ndjehen të humbur, që nuk e kanë lehtë të shpresojnë, që vuajnë nga probleme të lidhura me alkoolin, me drogën, me krizat familjare, me vetminë, me vdekjen e njerëzve të dashur, ose me zbraztësinë që të lë pas suksesi kalimtar. Duke e marrë shtytjen nga një fragment i Izaisë profet, i zgjedhur për liturgjinë e sotme, i cili flet për eshtra të thata, simbol i gjithë atyre që e kanë humur shpresën, kardinali Pel nënvizoi se vetëm Shpirti Shenjt mund t’ua rikthejë frymën trupave të vdekur, mund t’u rijapë jetë të gjithëve. Shpirti Shenjt është i vetmi që mund t’i shndërrojë pasigurinë e frikën, në fe e në shpresë. Shembëlltyra e farëhedhësit të Ungjillit, i krijoi Hirësisë së Tij mundësinë t’i ftojë të rinjtë të luten që fara e mirë të mos humbasë, por të bjerë në tokë pjellore. Duke jetuar në një ‘Botë të verbër e të shurdhër, që nuk do të shikojë, as të dëgjojë”, kardinali i ftoi të rinjtë t’ia hapin gjithnjë zemrën pushtetit të Shpirtit Shenjt, në mënyrë që Zoti të mund të veprojë përmes nesh. Më pas u kujtoi se vetëm Kryqi mund të sjellë frytet e paqes, të gëzimit e të bujarisë për të afërmin.
“Don’t spend your life sitting….”
Mos e kaloni jetën pa mbajtur kurrfarë qëndrimi, duke menduar se është më mirë të mos zgjidhni asnjë rrugë, sepse vetëm duke përmbushur impenjimet e marra, mund të gjeni jetën e vërtetë – i nxiti të rinjtë kardinali Pel - i cili vijoi t’u kujtonte se duhet t’i jenë mirënjohës Hyjit, që u krijoi mundësinë të marrin pjesë në DBR-së, pavarësisht nga shpenzimet, nga largësia e nga vështirësi të tjera të të gjitha llojeve, e të vijnë këtu, për t’u përfocuar në fe.Me kryeipeshkvin e Sidneit bashkëkremtuan edhe kardinali Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit; imzot Vilson, kryetar i ipeshkvijve australianë; imzot Fisher, koordinator i kësaj DBR-së dhe kardinali Rilko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët i cili, në përfundim të Meshës, uroi me gjithë zemër që të rinjtë, të cilët sollën pranverën në mes të dimrit australian, sepse janë pranvera e botës e pranvera Kishës, të jetojnë këtu, në Sidnei, Rrëshajët e reja. Kremtimi i sotëm – liturgjia u shoqërua nga vallet e aborigjenëve e nga shumë elemente etnike – përfundoi kur tashmë mbi qytetin vigan binte ngadalë muzgu e vendin e diellit e zinte hëna, drita e së cilës pasqyrohej me mijëra vezullime mbi ujërat e gjirit".







All the contents on this site are copyrighted ©.