2008-07-15 17:28:05

Nesër në Madrid, Konferenca ndërfetare, organizuar nga Mbreti i Arabisë Saudite. Koment i kardinalit Toran, një ndër relatorët e takimit.


(15.07.2008 RV)RealAudioMP3 Një ngjarje me domethënie të madhe për dialogun ndërmjet feve dhe për bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve: hapet të mërkurën e ardhshme, në Madrid, konferenca ndërfetare, organizuar nga mbreti i Arabisë Saudite, Abdallah, me pjesëmarrjen e autoriteteve myslimane, hebraike e të krishtera. Nisma pason takimin e mbajtur qershorin e kaluar, në Mekë, nga Lidhja Islamike Botërore. Në Konferencë do të flasë edhe kardinali Zha-Lyi Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar i cili, në mikrofonin tonë - nënvizon origjinalitetin e kësaj ngjarjeje vërtetë të rëndësishme ndërfetare:

Përgjigje: - Gjëja më e rëndësishme është origjinaliteti i ngjarjes, sepse është nismë e mbretit të Arabisë Saudite, i cili nuk është vetëm kryetar i Shtetit, por edhe rojtar i dy xhamive, që janë vendet më të shenjta të Islamit. Kjo i jep nismës së tij një përmasë universale. Po cili është qëllimi i takimit? Unë do të theksoj pesë pika: dëshirën për t’i dhënë fytyrë të re Islamit, për një Islam më tolerant, që është gati të dialogojë me fetë e tjera. Dëshirën, pastaj, për t’ia paraqitur opinionit botëror thirrjen e Mekës. Prej këndej, për të saktësuar cili është kontributi i feve për bashkëjetesën: të ofrojnë vlera etike, që pranohen nga besimtarët e mbarë botës, që ndikojnë posaçërisht për formimin e rinisë dhe që e ndihmojnë njerëzimin të rigjejë Zotin. Përsa i përket pjesëmarrjes së Kishës katolike, Papa është ftuar e unë shkoj pikërisht në emër të tij. Ne e presim, natyrisht, në mënyrë shumë pozitive nismën e mbretit, që mbledh – e kjo është tepër e rëndësishme – përfaqësues të tri feve. Nuk është dialog islamo-kristian: është dialog judeo-kristiano-mysliman. Natyrisht na duket një nismë e guximshme nga ana e mbretit. Papa, që kur u ul në fronin e Shën Pjetrit, nuk ka lënë rast pa shfrytëzuar për të përsëritur nevojën e dialogut tripalësh. Në një botë të shekullarizuar, është diçka e bukur dhe e nevojshme që të krishterët, myslimanët e hebrenjtë të jenë dëshmitarë të përmasës së mbinatyrshme të njeriut e të lidhjeve të tij me Hyjin. Pastaj, mund të bashkëpunojmë, për shembull, në mbrojtjen e shenjtërisë së jetës e në edukimin moral të rinisë. Mund të dialogojmë për gjithë ç’na bashkon në veprimtarinë bamirëse: në ndihmën ndaj të varfërve, emigrantëve, në mbështetjen e nevojtarëve ndër rastet e fatkeqësive natyrore e në të gjitha rastet, kur njeriu në nevojë, i kërkon ndihmë njeriut të Zotit, në emër të vetë Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.