2008-07-15 17:33:11

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Gjoni dë Brebëf u predikon Ungjillin uronëve".


(15.07.2008 RV)RealAudioMP3 “Atë, më thuaj, ku do të shkoj kur të vdes?”.
Gjoni dë Brebëf qesh. Është misionar që prej 20 vjetësh në gjirin e indianëve uronë, në brigjet e Liqeneve të Mëdhenj kanadezë. Nuk është hera e parë që ia bëjnë këtë pyetje. E ka dëgjuar mijëra herë. Sot ia bën një djalosh uron, që kërkon të marrë Pagëzimin.
“Do të shkosh në Parajsë, pranë Hyjit, së bashku me gjithë të krishterët!”.
“Por në se Parajsa është vetëm për të krishterët, atëherë ku do të jenë prindërit e mi? Ku do t’i takoj? Ku do t’i shoh përsëri? Jo! Jo! Nuk më intereson fare. Nuk dua të shkoj në Parajsë. Unë dua t’i shoh përsëri prindërit e mi!”.
“Mos u shqetëso, mos u shqetëso, paraardhësit tuaj, që kanë qenë njerëz të drejtë, janë me Zotin, edhe pse nuk ishin të krishterë!”.
“Po irokezët? Edhe ata janë në Parajsë? Se po të jenë edhe ata, unë nuk dua të shkoj atje. Irokezët kanë qenë e janë gjithnjë armiqtë e uronëve. Unë pranoj të shkoj në Parajsë, vetëm në se irokezët shkojnë fill e në fund të ferrit!”.
“Në Parajsë nuk ka më armiq. Të gjithë shenjtorët janë miq para syve të Zotit. Ndoshta në qiell do të gjesh irokezë të urtë!”.
“I urtë a i paurtë, irokezi mbetet gjithnjë kriminel. Të rrjepë për së gjalli edhe para syve të Zotit. Faleminderit, por jo, jo, nuk dua!”.
“Po jo, more bir, nuk është ashtu si mendon ti. Në Parajsë mbretëron vetëm dashuria. E nga ana tjetër, në se do ta dëgjonim Zotin, edhe mbi tokë s’do të kishte tjetër, veçse dashuri. Bibla na mëson: ‘Duajini armiqtë tuaj!”.
“Kush e thotë këtë, është i poshtër, ka zemër skllavi”.
“E thotë Jezusi!”.
“Ç’thua ore? Jezusi që dha jetën për ne? Atëhere nuk është i poshtër. Por, tani për tani, Ati im, më dëgjo: mos u mundo kot me mua. Nuk mund të më mësosh t’i dua irokezët. Ti i do, ata të rrjepin lëkurën. Ata nuk janë të krishterë. Nuk u shkon as nëpër mend, se mund ta duash edhe armikun.”.
Gjoni dë Brebëf vë buzën në gaz. E di mirë se irokezët nuk janë aspak të butë e se, po ta kapin, s’shpëton gjallë nga duart e tyre. Por për Kanadanë ia vlen ta rrezikosh lëkurën. Ky vend i pakufishëm u zbulua njëqind vjet më parë, në vitin 1534, nga francezi Zhak Kartje. Një pjesë e mirë e Kanadasë u bë provincë franceze, një provincë që nuk njihet ende deri në fund. Për misionarët është një veprim tepër i guximshëm t’u afrohen fiseve indiane. Prandaj Gjoni i lutet Zotit t’i japë guxim për të vdekur, në se është nevoja. E tani nuk ka më frikë. Por, të shohim ç’do t’ ndodhë!Më 1649 irokezët e kapin Atë Gjonin dë Brebëf së bashku me disa shokë. Arrin, i rrjepur e i mbytur mizorisht, në kullotat e parajsës, në ato vise të cilat ua pati përshkruar mijëra herë uronëve, ku që të gjithë janë miq!







All the contents on this site are copyrighted ©.