Udha që sjell në një botë më të mirë. Në një videomesazh të përhapur në Australi Papa
fton të shpresojmë kundër varfërisë e padrejtësisë
(14.07.2008 RV)Një ftesë për t’u
mbledhur së bashku në Australi, tokë jugore e Shpirtit Shenjt: ua drejton të rinjve
të mbarë botës, Benedikti XVI, përmes një mesazhi që nisi të qarkullojë që dje ndërmjet
të rinjve të Sidneit, ku vijojnë të arrijnë miq, e që u duk edhe në faqet e gazetave
kryesore vendase, të cilat po merren gjithnjë më shumë me DBR-në e me mikun më të
madh, Benediktin XVI, i cili tashmë ka shkelur në trojet australiane. Pas fjalëve
që tha pak para se të niste shtegtimin e gjatë ajror drejt DBR-së, mesazhi i ri, prolog
i çastit kur Papa do të takohet drejtpërdrejtë me mijëra djem e vajza nga të pesë
kontinentet. Bota e sotme shpesh herë i pështjellon të rinjtë. Pështjellimi i pengon
të gjejnë rrugën e drejtë, të kenë besim në të ardhmen. Atëhere e humbasin guximin
e nuk e dinë më ku duhet të trokasin, ku mund t’i gjejnë përgjigjet për rrugën e gjatë
e të vështirë të jetës. Mesazhi papnor i siguron se përgjigjet: për veten, për mjedisin
që i rrethon e ka nevojë të mbrohet, për popujt e shtypur nga forma të ndryshme të
mjerimit, të cilët kërkojnë ndihmë e progres, mund t’i gjejnë vetëm tek Jezusi. Me
këto penelata të shpejta i paraqet Benedikti XVI kuptimin dhe qëllimet e DBR-së-.
Në mesazhin drejtuar popullit australian dhe të rinjve, që marrin pjesë në takimin
e Sidneit, Ati i Shenjtë i rikthehet një koncepti shumë të të dashur për të: “Të rinjtë
- misionarë të të rinjve”. Jam thellësisht i bindur – shkruan Ati i Shenjtë – se të
rinjtë janë të thirrur të bëhen mjete të kësaj përtëritjeje. Ata mund e duhet t’u
komunikojnë bashkëmoshtarëve gëzimin që provuan duke njohur e duke ndjekur Krishtin
e duke ndarë me të tjerët, dashurinë me të cilën Shpirti Shenjt i mbush zemrat e tyre,
në mënyrë që edhe të tjerët të jenë përplot me shpresë e mirënjohje për të mirat që
u dhuroi Hyji, Ati ynë qiellor.Një shpresë që sot – vëren Papa – për fat të keq shumë
të rinj nuk e kanë, sepse tepër kontradiktore janë përgjigjet që marrin për pyetjet
më të rëndësishme të jetës. Atëherë, ku të drejtohen? Kujt t’ia kërkojnë përgjigjet
e drejta, pa të cilat rruga e jetës bëhet fare e paqartë? Shikojnë varfërinë e padrejtësinë
e, me të drejtë, duan të gjejnë rrugëdalje. Nuk mund t’u besojnë argumenteve të atyre
që e mohojnë Zotin. Vërejnë dëmet e mëdha që i bëhen ambientit natyror dhe pangopësinë
e njeriut e luftojnë të gjejnë mënyra për të jetuar në harmoni me natyrën e me të
tjerët. Ku mund t’i gjejnë përgjigjet e drejta për gjithë këto probleme që presin
zgjidhje? Benedikti XVI përgjigjet: “Shpirti Shenjt na çon tek Krishti, në Të gjejmë
qëllimet për të cilat ia vlen të jetosh dhe forcën që të vijojmë luftën për ndërtimin
e një bote më të mirë”.