2008-07-14 17:31:21

Dita e 14 korrikut për Benediktin XVI në Kënthërs kaloi me lutje, lexime e çaste muzikore, ndërsa në Sidnei arrin Kryqi i DBR-së. Me ne Atë Federiko Lombardi.


(14.07.2008 RV)“Një gur kilometrik për historinë e Kishës në Australi”. Entuziazmi për praninë e Benediktit XVI përmblidhet në këto fjalë të kardinalit Gjorgj Pel, kryeipeshkëv i Sidneit, i cili sot jetoi çaste të paharrueshme emocioni, kur pa duke arritur nëpër det Kryqin e Ditës Botërore të Rinisë. Ndërsa rinia vijon veprimtaritë në të katër anët e Australisë e të botës, Papa e kaloi ditën në mes të blerimit të Kenthëst Sente, me shëtitje e koncerte, dhënë për nder të tij.
Në metropolin australian arrijnë grupet e fundit të të rinjve e vijojnë takimet e katekizmit; shtohen edhe takimet me gazetarët. Në një prej tyre e mori fjalën edhe zëdhënësi i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Atë Federiko Lombardi, i cili bëri pikërisht kronikën e ditës së dytë të Papës në tokën australiane, për të folur më pas për vizitën e kardinalit Bertone në Paramata e për dhuratën që i bëri Papës ipeshkvi i Darvinit, imzot Hurlei, gjatë ndalesës së Papës në veri të Australisë. Ta dëgjojmë në mikrofonin e Radio Vatikanit:RealAudioMP3
Përgjigje: - Ishte një ditë shumë e qetë, që Papa e kaloi fare normalisht, dua të them, duke e transferuar ritmin e tij të jetës romake, në Australi. Ati i Shenjtë e filloi ditën me Meshën Shenjte, natyrisht të kremtuar me personelin e qendrës që e mikpret e me sekretarët e tij; pastaj bëri një shëtitje të shkurtër e vijoi me lexim, lutje, e më pas, me përgatitjen e teksteve të fjalimeve, siç bën gjithnjë në Vatikan. Pak para drekës priti kardinalin Pel dhe imzot Fisher, drejtues kryesorë të DBR-së, të cilët e njoftuan për të rinjtë që vijojnë të arrijnë e për dorën e fundit që po u jepet përgatitjeve. E pastaj, pasdite, përsëri lutje, një shëtitje e shkurtër në parkun, që është shumë i bukur e edhe një koncert. Ishte një grup muzikor i njohur i Sidneit, që dha një koncert me muzikë klasike nga autorë shumë familjarë për Papën: Shuman e Moxart. Edhe ky një çast prehjeje, pastaj, darka, si gjithnjë.

 
Pyetje: - Ndërsa kardinali Bertone shkoi në Paramata për të kremtuar Meshën Shenjte…

 
Përgjigje: - Po, grupi shoqërues ndjek një program të pavarur nga ai i Atit të Shenjtë, i cili vijon të jetë në Kenthëst Sente me shumë pak shoqërues. Prandaj sot paradite grupi shoqërues i Papës vizitoi jo vetëm Sidnein e rrethinat, por edhe katedralen e Paramatës, kryekishë e dioqezës fqinje, dioqezë e lashtë, me rëndësi në fillimet e historisë australiane. Katedralja është tejet moderne e shumë e bukur. Tepër interesante në këndvështrimin e arkitekturës kishtare, u ndërtua pas djegies së katedrales së mëparshme.

 
Pyetje: - Disa agjensi shtypi flasin për një dhanti: “Zojën e aborigjenëve”, që iu dhurua Papës në Darvin…

 
Përgjigje: - Po, e më duket një lajm i bukur. Pastaj duhet thënë se është diçka e zakonshme që Papa të pritet me dhurata simbolike, të cilat përfaqësojnë kulturat vendase. E dihet se atje, në veri të vendit, është zona ku aborigjenët janë më të përhapur.







All the contents on this site are copyrighted ©.