2008-07-14 17:33:29

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.: "Mikpritja e rregulltarëve të Shën Bernardit".


(14.07.2008 RV)RealAudioMP3 “Trokiti, pra, edhe për mua ora e fundit!” – pëshpërit me një fije zëri Filipi.
I mbështjellë me mjegull e breshërizë dëbore, humbet rrugën e ndjen si i akullohen këmbët. Do të vdesë kështu kot, në maje të Alpeve, duke kapërcyer bjeshkët e rënduara nga dëbora, për të shkuar nga Zvicrra në Itali. Në këtë epokë, kujtojmë se jemi në shekullin XVII, rruga që ka marrë është i vetmi shteg malor, i cili të çon nga njëri vend në tjetrin. Natyrisht në dimër do të ishte mirë të mos shkelje në këtë shteg. Po kush ka punë, e merr mësysh udhëtimin e vështirë. Kështu edhe Filipi. Duke e ditur se në qafë të malit është një strehim, ai dëshiron të arrijë atje sa më shpejt. Humbet rrugën dhe ndjen se së shpejti do ta zërë gjumi i rëndë i dëborës, gjumi i vdekjes. Por, papritmas dëgjon, fare pranë tij, një lehje qensh. Nëpër mjegull duken tri silueta. Me sytë që po i mbyllen nga gjumi i dëborës, ai shikon dy si hije, veshur me zhguna, që përkulen mbi të, ndërsa një qen i madh ia lëpin, me gjuhën e ngrohtë, faqet e ngrira…. “Banojmë në strehën e Shën Bernardit të Madh” – i shpjegojnë dy rregulltarët – është pikërisht manastiri që po kërkonit. Misioni ynë është të presim shtegtarët që arrijnë në maje të malit, t’u sigurojmë mundësinë të çlodhen e ta marrin mirë veten e, pastaj, t’i ndihmojmë të zbresin në anën tjetër. Prej disa vitesh përdorim edhe qentë për të kërkuar njerëzit, që mund të kenë humbur rrugën ndërmjet këtyre maleve, të cilat i njohim si xhepat tonë. Këta qen i quajmë ‘të Shën Bernardit”.
“Do të ndez një qiri, për t’ju falënderuar! E një edhe për ty, bukuroshi im!” – mërmërit Filipi, duke përkëdhelur qenin me dorën gjysëm të ngrirë.
Rregulltarët e ngrenë me kujdes. “Të vijojmë rrugën, sa s’ka nisur ndonjë stuhi e re dëbore. Edhe kështu, ngrica është e tmerrshme. Në manastir ju presin supa e ngrohtë e krevati. Të shpejtojmë, pra, para se të bjerë nata”.
“Në se të gjithë rregulltarët do të ishin si ju, bota do të ishte parajsë!” – bëlbëzon Filipi.
Vëllezërit e Shën Bernardit ia krisin gazit.
“Po kështu bëjnë të gjithë rregulltarët, o mik. Mikpritja është rregull e artë për të gjitha manastriret, që nga Mesjeta. Në se ju ndodh ndonjëherë të sëmureni, gjeni shpejt ndonjë manastir, e do të shihni se do t’ju mjekojnë falas, derisa të dilni që aty i shëruar”.
“E në se do të bini në mjerim – gjë që ne nuk jua urojmë”, shton frati tjetër, “shkoni në ndonjë kuvend. Do t’ju strehojnë, do t’ju japin për të ngrënë e do t’ju shtrojnë për të fjetur. Mikpritja për rregulltarët është e shenjtë, si lutja”.
Filipi është aq i prekur në shpirt, sa nuk di më ç’të thotë. Dy rregulltarët vijojnë:“Mos na falëndero fare! Kjo është puna jonë e përditshme. Ne jemi gjithnjë gati për t’ia hapur portat mikut të panjohur, që del nga mjegulla, sikur të ishim duke pritur një nga vëllezërit tanë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.