“Më në fund Sidnei!”- reflektim i Atë Federiko Lombardit
(13.07.2008 RV)Gjatë fluturimit,
që e çonte në Australi, Benedikti XVI nënvizoi se kremtimi i DBR-së është vetëm kapitulli
i fundit i përgatitjes, në të cilën morën pjesë dioqezat në të katër anët e botës,
fizikisht e shpirtërisht të pranishme në festën e madhe rinore. Është ajo që, tri
vjet më parë, pas takimit të madh të Këlnit, dukej një bast organizativ i vështirë
për t’u fituar, ndërsa tani po bëhet realitet. Një realitet për të cilin Kisha australiane
u impenjua me të gjitha forcat, siç pohon në këtë notë, drejtori i Sallës së Shtypit
të Vatikanit dhe drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi: “Kur,
tri vjet më parë, nga elteri i Ditës Botërore të Rinisë në Këln, Benedikti XVI njoftonte
se takimi i ardhshëm do të mbahej në Sidnei më 2008, të rinjtë australianë shpërthyen
në një duartrokitje të stuhishme, duke valavitur flamuj e duke tundur kangurë prej
pelushi. Ne na dukej një ngjarje tepër e largët, në kohë e në hapësirë. Po ja që erdhi!
Të rinjtë e Papa po arrijnë; metropoli australian shndërrohet; bëhet, për një javë,
kryeqytet botëror i rinisë, katolike, e jo vetëm. Qe një akt feje e guximi nga ana
e kardinalit Pel dhe e Kishës australiane, ftesa që i bënë të rinjve të botës për
t’u mbledhur në Sidnei. Qe akt feje e guximi edhe pranimi nga ana e Papës. E akt feje
e guximi qe edhe impenjimi i kishave vendase për të dërguar të rinjtë, sipas mundësive
të tyre, pa marrë parasysh shpenzimet, as lodhjen e rrugës së gjatë. Por në Kishë
asnjë vend nuk është i largët. Shpirti Shenjt u prin dishepujve për ta kumtuar Ungjillin
deri në skajet më të humbura të tokës. E edhe skaji më i fundmë i Planetit bëhet qendër,
kur aty kremtohet Eukaristia. Shumë të rinj, në se nuk do të jenë fizikisht në Sidnei,
sigurisht do të jenë ‘virtualisht’ në lidhje telematike, dhe shumë më tepër – e kjo
është më e rëndësishmja – do të jenë shpirtërisht, të bashkuar në lutje.Të rinjtë
e ditëve të kaluara të Rinisë, tashmë të rritur, e dinë sa e çmuar qe në jetën e tyre
përvoja e fituar. Të rinjtë e sotëm, të rriturit e nesërm, do ta shikojnë se edhe
Sidnei është afër e se shpresa e dashuria në ardhmërinë e Kishës e të mbarë njerëzimit,
varet edhe prej tyre”.