2008-07-13 14:40:14

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(13.07.2008 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën XV të Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar. U përkujtuan edhe Shën Enriku perandor, Shën Esdra skribë e Shën Sila, dishepull i apostujve.

Shën Kamili Lelis, meshtar, themelues i Shërbëtorëve të të sëmurëve, që do të kremtohet të hënën, na kujton se duhet të mësohemi ta mbartim kryqin, me bindjen se çdo flijim në emër të Zotit, është një hap përpara drejt Tij e drejt mbretërisë së amshuar.

Je ti, o Zot, forca e popullit tënd! Këtë thirrje na fton të përsërisim liturgjia e së martës, ditëfeste e Shën Bonaventurës nga Banjoregjio, kardinal, ipeshkëv i Albanos e dijetar i Kishës, françeskan. Na kujton se indiferenca e Galilesë përballë mrekullive të Krishtit, shkaktoi përbuzjen e Zotit e rrënimin e qytetit. Të mos çuditemi, prandaj, për pasojat, kur nuk e pranojmë Jezusin në jetën tonë.

 
Zoja Karmë, që do të kremtohet të mërkurën, na kujton Karmelin, mal që lartohet gjatë bregut lindor të Mesdheut, pikërisht në lartësinë e Galilesë, me shpatet plot shpella natyrore, të cilat u pëlqejnë aq shumë eremitëve. Më i njohuri ndër këta njerëz të Zotit, ishte profeti i madh, Elia, i cili në shekullin IX para Krishtit mbrojti pastërtinë e fesë në një Zot të vetëm e të vërtetë nga rreziku i përlyerjes me kultet idhujtare. Pikërisht duke u frymëzuar nga figura e Elisë, në Lindje lindi Urdhëri kundrues i Karmelitanëve, familje rregulltare që numëron në radhët e veta shenjtorë të mëdhenj si Tereza e Avilës, Shën Gjoni i Kryqit, Tereza e Krishtit Fëmijë e Tereza Benedikta e Kryqit (në shekull Edit Shtain).

“Mësoni nga unë, që jam zemërbutë e i përvujtë!”. Ky është modeli që na propozon Jezusi nga liturgjia e së enjtes, në festën e Shën Marçelinës, të Shën Aleksit e të Shën Leonit papë .
Të premten do të kremtohen Shën Emiliani martir; Shën Bruni, ipeshkëv e Shën Federiku. Na kujtojnë se Jezusi kërkon prej nesh mëshirë e dashuri.

Krishti erdhi në botë për t’u bërë shërbëtor i të gjithëve, prandaj të gjithë mund të shpresojnë në Të. Këtë na kujton liturgjia e festës së Shën Simakut papë dhe e Shën Makrinës, që do të përkujtohen të shtunën.

Të dielën e ardhshme Kisha do të vijojë liturgjinë e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, duke kremtuar të dielën XVI të kësaj kohe.







All the contents on this site are copyrighted ©.