2008-07-13 14:41:16

Benedikti XVI: “Dita Botërore e Rinisë është festë e fesë”, për t’u kumtuar Ungjillin të rinjve. Shkurt programi DBR-së


(13.07.2008 RV) Papa arriti në Australi ku para takimit me të rinjt për tri ditë do të pushojë në selinë private të Kënthërs Stadi (Kenthurst Study), qëndër e Opus Dei-t ndërmjet Bjeshkëve Blu.
Gjatë udhëtimit në hapësirat ajrore të Shqipërisë, sipas traditës, i drejtoi këtë telegram presidentit Bamir Topi:
“Duke fluturuar mbi Shqipërinë, në sa jam për rrugë drejt Australisë, ju drejtoj përshëndetjet e mia të përzemërta Ju dhe të gjithë nënshtetasve tuaj, duke ju siguruar se lutem që Zoti i gjithëpushtetshëm ta bekojë kombin me paqë e prosperitet”.
Pjesëmarrja e Papës në DBR do të nisë nga dita e enjte, 17 korrik, me ceremoninë e mirëseardhjes në Shtëpinë Qeveritare të Sidneit; më pas, lutja mbi varrin e së Lumes Mëklop, gruaja e parë australiane e lartuar në nderimet e elterit dhe vizita në Admiralty House, ku Papa do të takohet me governatorin e përgjithshëm dhe me kryeministrin e Australisë.
Pasdite Ati i Shenjtë do të pritet me valle e këngë tradicionale nga banorët vendas, aborigjenët, ndërsa më pas do të udhëtojë me anijen “Sidnei 2008” për në molon e Barangaro Ist Daling Habë, ku do të pritet nga të rinjtë, në festë.
Paraditen e datës 18 korrik do ta nisë me audiencat private të autoriteteve të Sauth Ueils të Sidneit. Më pas, në kriptën e Katedrales së Shën Marisë të Sidneit, do të marrë pjesë në takimin ekumenik, për të biseduar, në vijim, me përfaqësuesit e feve të tjera. Gjithnjë më 18 korrik, një grup të rinjsh do të ftohet për të drekuar me Papën.
Pasdite të rinjtë e Sidneit do të kremtojnë Udhën e Kryqit. Në përfundim të kësaj dite, Papa do të bisedojë me një grup të rinjsh, që riedukohen në bashkësinë e Universitetit të Zojës së Bekuar.
Të shtunën, më 19 korrik, dita do të nisë me Meshën Shenjte në katedralen e Shën Marisë së Sidneit, kremtuar së bashku me ipeshkvijtë australianë, me seminaristët e me novicët. Këtu Ati i Shenjtë do të shugurojë elterin e ri e, në përfundim të Meshës, do të drekojë së bashku me ipeshkvijtë.
Më pas, nata e madhe, e pagjumë, e lutjes me të rinjtë, në hipodromin e Rënduikut të Sidneit.
Të dielën, më 20 korrik, gjithnjë në hipodrom, Papa do të jetë përsëri me të rinjtë, për të kremtuar Meshën Shenjte të Ditës XXIII Botërore të Rinisë. Pasdite do të takojë bamirësit dhe organizatorët e DBR-së.Së fundi, në orën 9. 30, ceremonia e lamtumirës në aeroportin ndërkombëtar të Sidneit. Sipas parashikimit, Papa duhet të arrijë në Romë në orën 23. 00.







All the contents on this site are copyrighted ©.