85 vjet më parë vdiq Atë Leonard de Martino, françeskan arbëresh.
(12.07.2008 RV)Më 12 korrik 1923 u nda nga jeta, në Napoli, poeti e shkrimtari
arbëresh Atë Leonardo de Martino. De Martino (1830-1923, nga fshati Greçi i Kampanjës
në krahinën e Avelinos, që i ri u nis si misionar në Shkodër, ku luajti një rol të
dorës së parë në veprimtarinë për hapjen e së parës shkollë italiane në Shqipëri.
Kreu shërbimin meshtarak kryesisht në Troshan, në dioqezën e Zadrimës dhe në fshatrat
e Lezhës. Për një farë kohe shërbeu si sekretar i Prenk Pashës, princ i Mirditës dhe
si kujdestar i të birit të Pashës, Prenk Bibë Dodës (1858-1920). Por nxënësi i tij
më i shquar qe katundari i vogël, Zekë Ndoci, të cilin duart e tij të mësuara e shndërruan
në Atë Gjergj Fishtë, në Poetin i cili do ta ngrinte traditën e poezisë së Shqipërisë
veriore, në majat më të larta. E kjo mund të konsiderohet edhe kryevepra e fratit
de Martino. Atë Leonardi u largua nga Shqipëria në fund të shekullit XIX. Në historitë
e letërsisë shqipe thuhet se doli në pension, duke harruar se ai ishte rregulltar
katolik e meshtar e se rregulltarët nuk e dinë ç’është pensioni, sepse i shërbejnë
Zotit deri sa mbyllin sytë për dritën e kësaj bote. E de Martino i mbylli sytë në
moshën nëntëdhjetetre vjeç në kuvendin e Sarnos në Itali, më 12 korrik 1923, duke
i lënë trashëgim kulturës shqiptare pasurinë që mblodhi gjatë dyzet vjetëve të shërbimit
në provinçën françeskane: veprat, të përkthyera e origjinale, shkruar në dialektin
gegë. Ndërmjet tyre kujtojmë: ‘Vaji i hapses’, variant shqip i ‘Il lamento della prigionera’
të poetit dhe romancierit milanez, Tomaso Grosi (Tommasso Grossi, 1790-1853), të cilën
ia kushtoi Dora d'Istrias më 1868; ‘Munnimi i Jezu Krishtit’ (1875), përkthim i veprës
‘Passione di Gesù Cristo’ të Pietro Metastasios (1698-1782) e, sidomos, veprën origjinale
lirike ‘L'Arpa di un italo-albanese, (Harpa e një arbëreshi), Venedik 1888. Është
një përmbledhje e vëllimshme 442 faqesh e poezisë më të pjekur e më të përpunuar të
De Martinos në italisht e në shqip, shkruar me finesë e pasuri metrike të pazakontë
për letrat shqipe të kohës. Njihet edhe për pjesën teatrore të shkurtër ‘Nata e Këshnellavet’,
Shkodër 1880, e para në llojin e vet në shqipe. Emri i tij lidhet ngushtë edhe me
shpalljen e Zojës së Këshillit të Mirë ‘Pajtore e Shqiptarëve’. Pamfleti poetik, që
qarkulloi me këtë rast të jashtëzakonshëm festiv, kushtuar Zojës së Bekuar, është
një ndër krijimet e tij më të frymëzuara.